Vendosni fjalën kyçe....

Adidas i jep fund partneritetit me Kanye West për shkak të komenteve antisemite


Adidas është kompania më e fundit që i ka dhënë fund partneritetit me reperin Ye, të njohur më parë si Kanye West për shkak të komenteve të tij fyese dhe antisemitike.

“Adidas nuk toleron antisemitizmin dhe çdo lloj tjetër të gjuhës së urrejtjes.”- tha kompania në një deklaratë të martën, citon AP. “Komentet dhe veprimet e fundit të Ye-së kanë qenë të papranueshme, të urryera dhe të rrezikshme, dhe ato shkelin vlerat e kompanisë për diversitetin dhe përfshirjen, respektin reciprok dhe drejtësinë.”

Kompania u përball me presion për të ndërprerë lidhjet me reperin e njohur.

Adidas tha të martën se pasi e kishte shqyrtuar çështjen do të ndalonte menjëherë prodhimin e linjës së saj të produkteve Yeezy dhe do të ndalonte pagesat për Ye dhe kompanitë e tij. Kompania e veshjeve sportive tha se pritej të merrte një goditje deri në 250 milionë euro (apo 246 milionë dollarë) në të ardhurat e saj neto këtë vit për shkak të kësaj lëvizjeje.

Lëvizja nga Adidas, vjen pasi Ye u pezullua nga Twitter dhe Instagram këtë muaj për shkak të postimeve antisemitike që rrjetet sociale thanë se shkelnin politikat e tyre.

Në një postim me 9 tetor, Kanye West tha se do donte të shkonte në “death con 3″ ndaj hebrenjve, duke iu referuar sistemit të mbrojtjes të përdorur nga Shtetet e Bashkuara për të sinjalizuar mbrojtjen ushtarake. Postimi u duk si një përdorim i gabuar i statusit të alarmit të shtuar të ushtrisë amerikane DEFCON 3.

Më pas ai tha se nuk është antisemitik pasi “zezakët në fakt janë gjithashtu hebrenj”, duke bërë që llogaria e tij të mbyllet.

Së fundmi Ye sugjeroi se skllavëria ishte një zgjedhje dhe e quajti vaksinën COVID-19 “shenja e bishës“. Ai gjithashtu u kritikua për veshjen e një bluze “White Lives Matter” në shfaqjen e tij të koleksionit Yeezy në Paris.