Kryetari i PD-së Sali Berisha ka shprehur urimet e tij për kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha i uron Sunak suksese të mëdha në udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Zgjedhjen e Sunak, ish-kryeministri shqiptar e krahason me zgjedhjen e Barack Obamës si president i SHBA-ve në zgjedhjet e vitit 2008, për shkak të origjinës së tij nga India.
“Rishi Sunak bën historinë!
Zgjidhet kryeminister i Mbreterisë së Bashkuar.
Të dashur miq,
Partia Konsevatore e Britanisë së madhe zgjodhi dje për kryeministër të Mbreterisë së Bashkuar njërin prej personaliteteve më të njohur të saj, politikanin dhe ekonomistin e shquar me reputacion botëror, Rishi Sunak.
Zgjedhja e tij dje si kryeministër u krahasua me zgjedhjen e Barack Obamës si president i SHBA sepse prindërit e Sunak janë të dy me origjinë indiane dhe kanë ardhur në Angli nga Afrika Lindore.
Rishi Sunak ishte minister i financave në kabinetin e Boris Johnson dhe pas dorhëqjes së këtij të fundit në shtator, garoi për postin e kryeministrit e Britanisë së Madhe. Por, këtë qëllim e realizoi me shpejtësi pas dorëheqjes së kryeministres Truss.
Me këtë rast, le ti urojmë ne kryeministrit Rishi Sunak suksese të mëdha në udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe Mbreterisë së Bashkuar.”- shkruan Berisha.
Më herët gjatë ditës së sotme, Rishi Sunak u takua me Mbretin Charles, i cili e ftoi të formonte qeverinë e re.
Sunak tani është zyrtarisht kryeministri i 57-të i Mbretërisë së Bashkuar.