Vendosni fjalën kyçe....

Debate te Siguria për vdekjen e 32-vjeçarit pas shoqërimit nga policia: Ardi Veliu i njohur për manipulime, të zbardhet ngjarja


Me debate është shoqëruar mbledhja në në Komisionin e Sigurisë.

Deputeti i PD-së Ervin Salianji tha se selia blu ka denoncuar përfshirjen e drejtuesve të lartë të shtetit në paligjshmëri dhe manipulimin e ngjarjeve kriminale.

Salianji tha se drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliu ka precedent në manipulimin e ngjarjeve kriminale ku është përfshirë Policia e Shtetit duke përmendur vrasjen e Klodian Rashës dhe përplasjen me armë në Elbasan para zgjedhjeve të vitit 2021.

“Ne kemi denoncuar dhe denoncojmë përfshirjen e drejtuesve të lartë të shtetit në paligjshmëri, në moszbatim të ligjit dhe në përfshirjen e manipulimeve kriminale. Nuk i bën mirë Policisë së Shtetit mbrojtja e paduhur. Edhe në ngjarjen e fundit nëse nuk do kishte nxitim për manipulim të ngjarjes, pa diskutim që nuk do ishim këtu. Këtu ka një shqetësim, që policia që duhet të ruajë qytetarët mos t’i vrasë. Ne mbështetjen e japim, por që ta kapet me zë dhe figurë në manipulim të ngjarjes. Drejtori i AMP-së, famozi i njohur për manipulimet si në rastin e Rashës, Elbasanit dhe ky i fundit.

Ore ju distancohuni, punonjësit e policisë e ngrinin një qenie njerëzore sikur të ishte thes.” – tha ndër të tjera Salianji.

Deputeti tjetër i PD-së Xhaferraj i kërkoi drejtorit të Policisë së Shtetit, Rrumbullaku që të përgjigjet për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.

“Nuk mund te bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vijojmë në këtë formë. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë. Duhen sqarime.” – tha Xhaferraj.