I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare që ta shqyrtojnë “Non Gratën” e Sali Berishës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar tha se shpallja non grata e ish-kryeministrit shqiptar nuk ishte vendim personal, as politik por i bazuar në fakte dhe prova. Po ashtu Escobar u bën thirrje mbështetësve të PD-së të mendojnë për imazhin që përcjellin nëse drejtohen nga Berisha.
“Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion.”– tha zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Escobar.