Vendosni fjalën kyçe....

Mimoza Hajdarmataj, e para që shpall zyrtarisht kandidaturën në primaret e PD-së për Bashkinë e Tropojës


Mimoza Hajdarmataj është e para e cila ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për të garuar në primaret që do të zhvillohen nga Partia Demokratike për Bashkinë e Tropojës.

Ajo ka dhënë dhe një listë të arsyeve se përse kërkon të marrë drejtimin e bashkisë së qytetit të saj të lindjes.

“Braktisja pa mëshirë nga pushteti i Rilindjes, në nivel lokal dhe qëndror, prej afro 10 vite dhe diskriminimi që u është bërë tropojanëve por jo vetëm, më ka ndezur pasionin dhe vullnetin e jashtëzakonshëm për ti hyrë garës së PRIMAREVE në Tropojë.– shkruan ajo.

Hajdarmataj për këtë arsye dhe të tjera fton demokratët tropojanë, që ta mbështesin në këtë rrugëtim, që sipas saj synon rikthimin e Tropojës, në vendin që e meriton.

NJOFTIMI I HAJDARMATAJT:

Miq,

Shumë prej jush më njohin si një demokrate, ndër themelueset e PD, e flaktë, që nuk bën kompromis me idealet e të gjithëve ne, të tjerë si një grua dhe nënë që përpiqet të gjendet kudo në nismat për mbrojtjen dhe promovimin e grave dhe vajzave, duke u përqendruar dhe tek potencialet e zhvillimit lokal e turizmit malor.

Shumë të tjerë si pjesëmarrëse në Lëvizjen Studentore dhe anëtare e Grupimit “Dhjetori 90”, e dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen “ PISHTAR I DEMOKRACISË”, me motivacionin “Për ndihmesën e çmuar në ndërtimin, konsolidimin dhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë në Shqipëri”.

Por ajo që kam më shumë për zemër është identiteti, marka “çikë Tropoje”.

Edhe pse jam larguar në moshë të re nga Tropoja, për shkak të studimeve, profesioni dhe jeta familjare më pas më përqëndroi në Tiranë, asnjëherë nuk i kam shkëputur marrëdhëniet me vendlindjen time dhe patriotët e mi, këtu në Tiranë dhe diasporë.

Tropoja, zona me pasuri të shumëllojshme nën tokë dhe mbi tokë, “Mbretëresha e Alpeve Shqiptare” është ndër krenaritë e mia më të mëdha.

Dashuria për vendlindjen është frymëzim për mua në çdo sfidë.

Braktisja pa mëshirë nga pushteti i Rilindjes, në nivel lokal dhe qëndror, prej afro 10 vite dhe diskriminimi që u është bërë tropojanëve por jo vetëm, më ka ndezur pasionin dhe vullnetin e jashtëzakonshëm për ti hyrë garës së PRIMAREVE në Tropojë.

Është beteja që e kam ëndërruar sepse vetëm kur drejton një bashki ke drejtuar qytetin dhe rrotullon botën për të sjellë projekte, punësim dhe shumë mundësi për të rinj për qytetin tënd.

Tropoja ky diamant i Alpeve dhe gjithë Veriut nuk mund të kryesojë varfërinë e thellë të Shqipërisë.

Nuk e mohoj se një shtysë shum të fortë e kam marrë nga mesazhe dhe telefonata që kam marrë nga tropojanë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Arsyeja më kryesore pse kam vendosur të garoj në PRIMARET për kandidat për Kryetar të Bashkisë Tropojë, në Zgjedhjet Lokale 2023 është vendimi i Partisë Demokratike për t’i besuar anëtarësisë dhe simpatizantëve të saj për të përcaktuar kryebashkiakët e ardhshëm dhe parlamentarët e tyre lokalë.

Besimi që të japin anëtarët, simpatizantët dhe demokratët me vullnetin e tyre të lirë është i pakrahasueshëm me asnjë pozicion liste kryetarësh.

Prandaj, për t’ia arritur këtij misioni që i kam vënë vetes, më duhet besimi dhe mbështetja e tropojanëve, por të parët jeni ju demokratët, themelet e shtëpisë sonë dhe heronjtë e cdo beteje këtu dhe në Tiranë.

Ju ftoj të më bashkoheni në këtë rrugëtim që ka për synim rikthimin e vendlindjes sonë,Tropojës sonë, në vendin që e meriton.

Dashuria për Tropojën tonë, për qëndrueshmërinë e komunitetit, të ardhmen e familjeve tona, për të mbajtur rrënjët në tokën e të parëve, duhet të na bashkojë, të mos na ndajë.

Rrugëtimi i vështirë i PD në këta 30 vite dhe kesaj radhe, beteja e vërtetë historike mes nesh, patriotëve të flamurit, besimtarëve në Zot dhe qëndrestarëve të vlerave dhe atyre që atdhe, fè e familje kanë vetëm paranë ka treguar se vetëm të bashkuar mund të fitojmë dhe t#ia dalim, për Tropojën tonë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Me demokratët e Tropojës, për Tropojën tonë…

Anëtarë, simpatizantë, demokratë- vota jote, jo e kryetarit!