Vendosni fjalën kyçe....

PD dorëzon projektligjin për Reformën Territoriale/ Bylykbashi: Propozuam 97 bashki


Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka bërë me dije se ka dorëzuar sot në Kuvend një projektligj për Reformën Territoriale.

Në një prononcim për mediet, ai tha se propozimi i PD-së e ndan territorin në 97 bashki.

“Propozimi ynë është që zgjedhjet e ardhshme të bëhen mbi bazën e kësaj ndarjeje me 97 bashki.

Kemi marrë gjithë kohën e nevojshme që të rakordojmë maksimumin e qëndrimeve, të marrim të gjithë kontributetet; më herët ka pasur një propozim tjetër që jemi të kënaqur që ka ardhur në të njëjtat linja siç e nisëm ne procesin, që numri, ndarja e bashkive të ishte rreth 90 bashki. Pra, edhe ai propozimi tjetër për 94 bashki që është bërë nga deputetë të tjerë demokratë, bazohet në të njëjtat kritere dhe parime që kemi bërë ne.

Hapësira për të rakorduar në procesin legjislativ është e plotë, por besoj që ky numër bashkish prej 97 bashkish që ne propozojmë sot është ai që i jep hapësirën më të madhe, mundësitë më të mëdha komuniteteve lokale. Nuk ka rëndësi çfarë mendon qeveria, çfarë mendon Kryeministri, rëndësi ka çfarë duan njerëzit atje poshtë dhe nëpërmjet kësaj bëjmë të mundur një zhvillim harmonik.”- tha Bylykbashi.