Vendosni fjalën kyçe....

Samiti i dhjetorit në Tiranë/ Ambasadorja Hohmann: Hera e parë që mbahet në rajon, tregon sa e rëndësishme është Shqipëria për ne


Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann ka folur nga Korça për samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

Kjo është hera e parë që samiti i BE-së organizohet jashtë Unionit, një fakt që ambasadorja Hohmann e theksoi fort.

“Në fakt është hera e parë që samiti ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor vjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për herë të parë në Shqipëri dhe kjo tregon sa i rëndësishëm është ky vend për ne dhe anëtarësimi i këtyre vendeve në BE si dhe puna që këto vende do të bëjnë. Në Shqipëri në datën 6 dhjetor do të vijnë liderët e të gjithë BE-së që do të diskutojnë çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e e BE.”– tha Hohmann.

E pyetur sa i përket nivelit të kriminaliteti dhe korrupsionit në vend, Ambasadorja përmend raportin e KE-së duke thënë se çështje e rëndësishme mbetet lufta kundër korrupsionit.

“Besoj se e dini që para dhjetë ditësh, KE ka publikuar Progres Raportin dhe ai e shpjegon shumë qartë ecurinë në të cilën gjendet vendi. Dhe në fakt për të gjithë ata që janë të interesuar, ju mund ta lexoni, ku një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit, se sa punë është bërë dhe sa duhet bërë dhe është i qartë për çështjen e sundimit të ligjit.”– tha ambasadorja.

Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë dhe vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, Kosova pret liberalizimin e vizave ndërsa Bosnjë-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat.