Njëmbëdhjetë fëmijë kanë humbur jetën pas një zjarri që ka rënë në një shkollë me konvikt për nxënës të cilët nuk shohin dot, në Uganda.
Shkolla dhe konviktet ndodhen në një komunitet rural jashtë kryeqytetit të Ugandës, Kampala.
“Një nga konviktet tona mori flakë dhe u dogj rreth mesnatës.”- tha Francis Kinubi, themeluesi i shkollës sipas AP. “Ky ishte një nga konviktet e vajzave të reja që u dogj dhe, për fat të keq, 11 vajza, vajza të vogla, humbën jetën.”
Policia tha në një deklaratë se gjashtë persona të tjerë janë shtruar në spital në gjendje kritike. Ata thanë se nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin gjatë natës që përfshiu konviktin e vajzave në shkollën Salama për të Verbërit në rrethin Mukono.
Fatuma Ndisaba, një zyrtare e lartë në Mukono tha se viktimat ishin nga mosha 7 deri në 10 vjeç.
Ajo tha se trupat e viktimave do të identifikohen përmes analizës së ADN-së. “Nuk mund të thuash kush është kush.”- tha Ndisaba, duke folur për trupat e djegur.
Një turmë e vogël që përfshinte gra të dëshpëruara u mblodh jashtë portave të shkollës duke kërkuar të dinin mbi fatin e vajzave të tyre. Princesha Anne e Britanisë, e cila pritet të vizitojë vendin e Afrikës Lindore këtë javë, kishte planifikuar të vizitonte shkollën të premten.