Më 12 nëntor, opozita do të zhvillojë protestën e parë kombëtare kundër qeverisë. Këtë datë e bëri me dije pak më herët në një deklaratë për mediet ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha.
“Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjet me regjimin e partisë-shtet. Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.”– tha Berisha në një komunikim për mediat, vetëm pak orë pas takimit me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Berisha tha se nesër bashkë me Metën do të dalin në një konferencë për shtyp e më pas do të takohen me të gjitha grupet e interesit në përgatitje të protestës.
“Sot patëm një takim shumë të mirë me Metën dhe Vasilin. Nesër në një konferencë shtypi të përbashkët do t’u informojmë ju mbi rezultatet e këtij takimi. Tani gjithçka do të jetë në funksion të protestave, në mbështetje të plotë dhe totale të lëvizjes sindikaliste të universiteteve, në mbështetje të bizneseve të vogla dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar në kushte të vështira. Do të mblidhet së shpejti fronti për shpëtimin e Shqipërisë. Do të ketë takime me qytetarët dhe aleatët, me grupet e interesit dhe të gjithë shqiptarët që mbrojnë kauza të drejta për t’u bashkuar në protestën e madhe të 12 nëntorit.”– tha kryedemokrati.
Berisha tha se kryeministri Edi Rama nuk meriton të qëndrojë në pushtet asnjë ditë e duhet të largohet “një orë e më parë”.
Pas Enver Hoxhës, sipas tij Rama është armiku i dytë më i madh i lirive, qenies, votës buxhetit familjar, shtetëror e të gjithave me radhë.
“Ky është një armik i egër i votës së lirë, ky është një plaçkitës i paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës.
Ky është një armik i egër i interesit të shqiptarëve. Se cili është Edi Rama e ka marrë vesh çdo shqiptar në Shqipëri dhe jashtë. Deklaratat e tij se do zëvendësojë punëtorët shqiptarë me punëtorë të marrë nga Bangladeshi, në të vërtetë trafik i turpshëm i qenieve njerëzore, deklaratat e tij se nuk do lejojë në universitete nxënësit me nota të ulëta, se do marrë jashtë studentë, deklaratat e tij se ikin, por fajin e ka Gjermania, janë dëshmi e zbatimit nga ana e tij të politikës së Vaso Çubrolloviçit.
Nga viti 2014 deri më sot, janë larguar nga Shqipëra 27 përqind e materies shqiptare. Nuk ka luftë civile që në një hark kohor të tillë të shkurtër, të ketë larguar nga vendi 27 përqind të kombit apo shoqërisë.
Edi Rama është një antishqiptar i pakorrigjuar. Në samitin e fundit në Pragë, padroni i tij Vuçiç do i drejtohej audiencës: kam 17 vite që përpiqem me udhëheqjen politike të Kosovës dhe nuk arrij asnjë marrëveshje, ndërkohë me sivllaun tim binjak, Edi Rama biem dakord në çdo gjë dhe merremi vesh për çdo gjë.
Ky është Edi Rama për çdo shqiptar. Pra në çdo plan ky nuk meriton të qëndrojë në pushtet asnjë ditë. Ky meriton të largohet një minutë e më parë.
Pas Enver Hoxhës, ky është armiku i dytë më i madh i njeriut, qenies, votës, buxhetit familjar, buxhetit shtetëror dhe të gjithave me radhë.”– tha Berisha.