Gjykata e Tiranës ka vendosur lidhur me sekuestrimin e pallatit që kishte shtesë pa leje, atje ku ushtronte aktivitetin e tij të biznesit deputeti i PD-së, Agron Shehaj.
Shehaj shkruan në një postim në rrjetet sociale se gjykata vendosi në favor të kryeministrit Edi Rama pa u paraqitur asnjë provë, urdhër apo akt përpara saj.
Deputeti demokrat thotë se në Shqipëri nuk do të gjejë dot drejtësi në një betejë përballë Ramës, prandaj betejën ligjore thekson se do ta vazhdojë në Strasburg.
“Gjykata sapo vendosi në favor të Edi Ramës. Në këtë vend kur verdiktin e jep kryeministri, nuk ka asnjë njeri tjetër që ta kundërshtojë atë.
Ky ishte një gjyq farsë ku Policia fiton pa paraqitur asnjë provë, urdhër apo akt para gjykatës. Çdo qytetar e di që në Shqipëri përballë Edi Ramës nuk mund të ketë drejtësi.
Beteja ligjore do vazhdojë deri në Strasburg. Jam i bindur se në fund do ketë drejtësi.
Beteja politike, me fakte dhe prova të vjedhjeve të kryeministrit dhe ministrave në dëm të popullit më të varfër në Europë nuk ndalet. Unë nuk shantazhohem dhe nuk tërhiqem!”- shkruan Shehaj.
Një javë më parë Shehaj denoncoi në Parlament se Policia kishte vënë nën sekuestro biznesin e tij dhe nuk lejonte vijimin e aktivitetit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se e kishte urdhëruar këtë si “hakmarrje politike”.