Vendosni fjalën kyçe....

Eksperti mjeko-ligjor: Autopsia duhet të bëhej pas 12 orësh jo 5 orësh, thuajse e pamundur të gëlltitet një qese 5 cm x 5 cm


Eksperti mjeko-ligjor Sabri Hoxha ka pohuar mbrëmjen e djeshme se bërja e autopsisë 5 orë pas vdekjes në trupin e 32-vjeçarit Lear Kurti është në shkelje të rregullores.

Gjatë një deklarate në emisionin ‘Log’ në ABC, ai pohoi se autopsia bëhet 12 orë pas vdekjes së të riut në mënyrë që të vlerësohen dëmet e plota të mundshme në trupin e viktimës.

“Autopsia për 5 orë? Autopsia duhet të bëhet pas 12 orëve si rregull. Në rrethana të tilla ku ka përplasje ndërinstitucionale. Mbas 12 orësh bëhet për shkak se ekspertëve u duhet të shikojnë të gjitha ndryshimet që ndodhin në indet dhe organet e viktimës. Në rastin konkret gjatë bërjes së autopsisë pas 5 orësh kanë qenë në shkelje flagrante të një udhëzimi të 2001 tre institucionet e hetimit, Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Prokuroria. Është veprim i nxituar jo profesional.” – tha Hoxha.

Ai shtoi më tej se është thuajse e pamundur të gëlltitet një qese me përmasat 5 cm me 5 cm, sidomos gjatë vrapimit duke hedhur dyshime mbi deklaratën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e Prokurorisë se në trupin e viktimës është gjetur një qese e tillë me gjurmë kokaine.

“Së pari, aspekti qëndron si është marrë kjo qese. Se një qese 5 cm me 5 cm që ka edhe një sasi disa gram brenda është e vështirë, thuajse e pamundur për ta gëlltitur. Nëse e ka marrë këtë qese para se të vraponte…se gjatë vrapimit është e pamundur të gëlltitet. Nëse kokaina kalon në traktin tretës, sipas shkencës përthithja fillon pas 15 minutash. Në rastin konkret është e pamundur ta ketë thithur kaq shpejt organizmi. Ajo shenja është shembje e indeve të buta. Për të krijuar atë është një goditje. Hematoma, grumbull gjaku. Ajo është shkaktuar si rezultat i një force. Mund të jetë edhe nga brenda siç mund të jetë veshka.”­ – shtoi Hoxha.

I riu Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës me 19 tetor. Sipas policisë, ai ka ndërruar jetë në spital ndërsa ky i fundit pohon se 32-vjeçari ka mbërritur i vdekur aty. Prokuroria nga ana e saj ka nisur hetimet për ngjarjen. Në dy dëshmi, e ëma e të riut dhe miku i tij kanë pohuar se ndaj tij është ushtruar dhunë.