Vendosni fjalën kyçe....

“Mercedes-Benz” tërhiqet nga tregu rus


Mercedes është bërë kompania e fundit perëndimore që tërhiqet nga Rusia, që pas pushtimit të Ukrainës në muajin shkurt të këtij viti.

Siç shkruan BBC, firma me bazë në Gjermani ndaloi prodhimin dhe eksportin në vend në fillim të marsit.

Por tani ajo thotë se do të tërhiqet nga tregu rus dhe do t’i shesë aksionet e filialeve të saj tek një investitor vendas.

Ndërkohë, Ford konfirmoi gjithashtu të mërkurën se kishte finalizuar një marrëveshje për të dalë nga tregu rus.

Firma kishte njoftuar një pezullim të plotë të operacioneve të saj në Rusi në mars. Tani komppania ka shitur 49% të aksioneve të saj në sipërmarrjen e përbashkët Sollers-Ford, megjithëse ka opsionin e blerjes së aksioneve brenda pesë viteve “nëse situata globale ndryshon”.

Nissan i Japonisë u largua nga Rusia në fillim të këtij muaji, pas të njëjtës lëvizje nga Toyota dhe Renault.

Nissan pësoi një humbje prej 700 milionë dollarësh duke ia dorëzuar biznesin e saj një entiteti shtetëror për një tarifë nominale, që thuhet se ishte më pak se 1 paund.

Kthehemi te Mercedes. Harald Wilhelm, zyrtari kryesor financiar i Mercedes, tha se largimi i tyre nga Rusia nuk pritej të kishte ndonjë efekt të ri serioz në fitimet e kompanisë.

Firma të tjera makinash, duke përfshirë Jaguar Land Rover, General Motors, Aston Martin dhe Rolls-Royce, të gjitha ndaluan dërgesat në vend që në muajt e parë të luftës.

James Baggott, kryeredaktor i uebsajtit të industrisë Car Dealer Magazine, tha se Mercedes ishte në një hap me kompanitë e tjera kur ndaloi eksportet dhe pezulloi operacionet në Rusi në fillim të vitit, por shumë prodhues të tjerë makinash u tërhoqën shpejt nga vendi krejtësisht.

Ai tha për BBC-në se ishte e pazakontë që Mercedes nuk e bëri këtë.

“Rusia ishte një treg fitimprurës për prodhuesit e makinave luksoze si Mercedes para luftës, me makina si fuoristrada e saj G Wagen dhe S Class shumë të njohura për elitën e saj.”– tha ai. “Ndoshta Mercedes shpresonte për një zgjidhje të shpejtë të luftës, dhe tani që kjo duket e pamundur, firma më në fund ka marrë vendimin e vonuar për ta lënë vendin përgjithmonë.”

Natalia Koroleva, shefe ekzekutive e Mercedes-Benz në Rusi, tha në një deklaratë se prioritetet kryesore në këtë lëvizje ishin përmbushja e detyrimeve ndaj klientëve rusë dhe ruajtja e vendeve të punës në Rusi.

Shoqata e Bizneseve Evropiane (AEB) tha se 9 mijë e 558 automjete Mercedes u shitën në Rusi nga janari në shtator, 72.8% më pak se një vit më parë.