Një shtetas maroken është qëlluar për vdekje në Itali, nga një shtetas shqiptar pasi i kishte ofenduar të dashurën këtij të fundit.
Sipas mediave italiane, 45-vjeçari maroken Abderrahimi Elkharmoudi u qëllua dy herë me armë nga një shqiptar banues në rrethinat e Milanos.
Sherri ka ndodhur në një lokal brenda lokalit Agorà, në Piazza Libertà, ku gruaja i është drejtuar marokenit me fjalët “Çfarë dini ju se si trajtohen femrat, në vendin tuaj nuk i lini as të dalin nga shtëpia.”
Kjo fjali e thënë nga gruaja e ka zemëruar marokenin që ishte i dehur. Debati mes tyre se si duhet të trajtohen gratë ka zgjatur për disa minuta.
Brenda në lokal ndodheshin disa miq të gruas, mes tyre edhe shqiptari. Kur viktima doli nga lokali, burrat e ndoqën jashtë ku sherri vijoi përsëri.
Pak para se të mbërrinte në makinën e tij të parkuar, shqiptari ka nxjerrë armën dhe e qëlluar në gjoks dhe bark, për t’i dhënë një mësim marokenit “si të trajtojë gratë”.
Sipas hetuesve, marokeni i plagosur ka arritur të hipë në makinën e tij dhe të ndezë motorin, ka shtypur pedalin në gaz dhe është larguar. Por ai nuk shkoi larg, u shua pas disa qindra metrash.
Disa banorë që dëgjuan të shtënat kishin thirrur policinë, por kur karabinierët mbërritën në shesh nuk kishte mbetur më njeri.
Edhe banakieri e kishte ulur qepenin, pa ditur se çfarë kishte ndodhur pas sherrit në klub, ai ishte shprehur “e morëm vesh mëngjesin e së hënës, kur na kërkuan pamjet e kamerave”.
Karabinierët kontrolluan zonën dhe në via Varese, në mes të rrugës, vunë re makinën e marokenit. 45-vjeçari u dërgua në spital por nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Autori i dyshuar i ngjarjes dyshohet se është arratisur në Shqipëri dhe është ndihmuar nga disa miq të tij. Ai u identifikua pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në vendngjarje dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.