Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pasi kryetari i PD-së Sali Berisha njoftoi se protesta e opozitës do mbahet më 12 nëntor.
Meta shpreh mbështetjen e tij për këtë protestë por edhe primaret e njoftuara nga Berisha.
“Mbështetje totale për protestën madhështore të 12 Nëntorit! Shqiptarët më të bashkuar se kurrë drejt Referendumit dhe Primareve!
Koha e Demokracisë direkte po vjen!”– shkruan Meta.
Ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha njoftoi se data e protestës do të jetë 12 nëntori.
“Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjet me regjimin e partisë-shtet. Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.”– tha Berisha, vetëm pak orë pas takimit që pati me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Berisha tha se nesër bashkë me Metën do të dalin në një konferencë për shtyp e më pas do të takohen me të gjitha grupet e interesit në përgatitje të protestës.