Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite kritikon SHBA-në për manipulimin e çmimeve të naftës


Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite, Princi Abdulaziz bin Salman, ka kritikuar kombet për shfrytëzimin e rezervave të tyre emergjente të naftës në mënyrë që të manipulojnë çmimet dhe paralajmëroi për pasojat nëse rezervat mbarojnë.

“Është detyra ime t’i bëj të qartë botës se humbja e rezervave të urgjencës mund të jetë e dhimbshme në muajt në vijim.” – tha ministri saudit në konferencën ‘Future Initiative Investment’ në Riad të martën.

Ai vuri në dukje se Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA (SPR) nuk kishte për qëllim të lehtësonte presionet e çmimeve, por në vend të kësaj kishte për qëllim të adresonte kufizimet e furnizimit emergjent. Komentet vijnë pasi presidenti amerikan Joe Biden njoftoi lëshimin e 14 milionë fuçive të tjera nga SPR, pas lëshimit të 180 milionë fuçive të naftës që nga prilli.

Javën e kaluar, autoritetet amerikane thanë se do lëshonin naftë shtesë të papërpunuar nga SPR për të mbajtur një kapak mbi çmimet e karburantit në Amerikë dhe më pas për të rimbushur rezervat. Përdorimi historik i stoqeve emergjente ka shqetësuar investitorët në mbarë botën, pasi vëllimet e tepërta të naftës mund të vërshojnë tregun dhe ta vënë atë nën presion.

Sipas një analisti të naftës në Energy Aspects, Amrita Sen, SPR tani ‘absolutisht po përdoret për të mbajtur çmimet më të ulëta edhe pse nuk nuk është ky qëllimi për të cilin duhet të përdoret’.

Administrata Biden thuhet se ka treguar se shfrytëzimi i mëtejshëm i rezervave strategjike mund të lidhet me vendimin e fundit të OPEC + për të ulur prodhimin e naftës.

OPEC+ njoftoi se vendet që përbëjnë grupin do ulin prodhimin e naftës me 2 milionë fuçi në ditë duke filluar nga nëntori. Shkurtimet do shpërndahen bazuar në kuotat sipas marrëveshjes së OPEC+ që nga gushti 2022. Pakësimi i prodhimit synon stabilizimin e tregut global të naftës përpara një rënie sezonale të kërkesës dhe mes frikës për një recesion global.