Belind Këlliçi prezantoi sot zyrtarisht kandidaturën e tij në primaret që do të zhvillohen nga Partia Demokratike, për të përzgjedhur kandidatët që do garojnë zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Këlliçi gjatë fjalës së tij, tha se do të përballet me modelin e Erion Veliajt, për të cilin thotë se për 8 vite e bëri Tiranën qytet të pajetueshëm.
“Si i tillë, ai dhe modeli i tij antivlerë, duhet larguar një orë e më parë, pikërisht me votën e kryeqytetasve.“– tha Këlliçi për kryebashkiakun aktual të Tiranës.
Ai thotë se është i ndryshëm nga Veliaj që ka ecur në politikë vetëm përmes votës së lirë.
“Në ndryshim nga Veliaj, ecuria ime në politikë është vetëm nëpërmjet garës dhe votës së lirë. Jam zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike me votën e anëtarësisë, në një garë serioze, të paprecedent, të fortë, të vërtetë, me debat publik, dhe program real. Unë e njoh dhe e pranoj verdiktin e votës së lirë, si kur fitoj ashtu dhe kur humbas. Nuk i bëj kurrë bisht garave dhe përballjes, sado e fortë të jetë ajo!”- theksoi Këlliçi.
Ai shtoi se një ndryshim tjetër që ka nga Veliaj është se ai nuk është i shantazhueshëm dhe kandidaturën e tij e mbështeti pikërisht në këtë pikë… “modelin” e ndryshëm që përfaqëson.
“Dinjiteti është vlerë e përjetshme dhe unë nuk e tregtoj për karrierë politike. Dinjiteti personal qëndron më lart se çdo pozitë politike apo funksion publik. Unë i hyj me bindje kësaj gare, pikërisht sepse jam i kundërti i ‘modelit Veliaj’. Nuk jam i shantazhueshëm nga askush brenda dhe jashtë partisë ku kontribuoj, Në ndryshim nga Erioni, nuk jam peng i askujt që mbi kokë i tund dosjen e të ndjerit Ardit Gjoklaj, dosjen e inceneratorit të Tiranës, dosjen e Teatrit Kombëtar dhe të lejeve abuzive të ndërtimit, që janë dhënë në zonat e mbrojtura dhe kryesisht në qendrën historike të Tiranës.”- tha Këlliçi.