Kompania Unilever në SHBA bëri një tërheqje vullnetare të disa markave të produkteve të aerosolit, të shampove për flokë të thata për shkak të ‘niveleve potencialisht të ngritura’ të benzenit, një kancerogjen për njerëzit.
Sipas një njoftimi të kompanisë të postuar në faqen e internetit të Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA (FDA), markat përfshijnë Dove, Nexxus, Suave, TIGI (Rockaholic dhe Bed Head) dhe TRESemmé. Mallrat e tërhequra janë prodhuar para tetorit 2021 dhe janë shpërndarë në mbarë vendin.
Benzeni, një kancerogjen për njerëzit, mund të gjendet në shumë vende në mjedis. Njerëzit janë të ekspozuar ndaj agjentit çdo ditë, si brenda ashtu edhe jashtë, me anë të thithjes, me gojë ose përmes lëkurës.
Ekspozimi mund të rezultojë në kancere, duke përfshirë leuçeminë, kancerin e gjakut të palcës së eshtrave dhe çrregullime të gjakut, të cilat mund të jenë kërcënuese për jetën.
Unilever US tha se bazuar në një vlerësim të pavarur të rrezikut shëndetësor, ‘ekspozimi ditor ndaj benzenit në produktet e tërhequra në nivelet e zbuluara në testim nuk do të pritet të shkaktojë pasoja të pafavorshme shëndetësore’. Kompania tha se po i tërhiqte produktet ‘nga kujdesi i madh’ dhe ‘nuk ka marrë asnjë raport për ngjarje të padëshiruara deri më sot në lidhje me këtë tërheqje’.
Shitësve me pakicë u është kërkuar të heqin mallrat e tërhequra nga raftet e tyre. Prodhimet e prekura dhe kodet UPC të konsumatorit janë dhënë në një listë.