Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka qenë sot në SPAK lidhur me hetimet për inceneratorin e Elbasanit.
Në një deklaratë pas daljes nga godina ajo tha se ka qenë në SPAK në cilësinë e kallëzuese duke çuar atje prova të reja e për të verifikuar dokumentacionin lidhur me inceneratorin e Elbasanit.
Kryemadhi tha gjithashtu se për aferën në fjalë nuk bëhet fjalë për një individ po për një system që ka administruar e grabitur paratë e shqiptarëve.
“Jam thirrur si një nga kallëzueset kryesore të inceneratorit të Elbasanit për të verifikuar të gjithë dokumentacionet dhe për të shtuar provat e tjera që i shtohen. Gjëja më e rëndësishme është që një nga arsyet kryesore në të cilat ky proces siç është verifikimi dhe hetimi i inceneratorit, të bëhet e qartë se nuk është çështja e një individi por e sistemit. Sot paraqita prova të tjera për mashtrime dhe vjedhjen e parave të inceneratorit të Elbasanit.” – tha Kryemadhi.