Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Nuk kemi kushte për asnjë bashki, marrëveshja me PD-në angazhim madhor edhe për referendumet


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në emisionin “Opinion” foli në lidhje me marrëveshjen e firmosur bashkë me Partinë Demokratike për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Meta tha se PL nuk e sheh marrëveshje vetëm për zgjedhjet vendore por një angazhim për çështjen e referendumeve në të ardhmen që do vendosë demokracinë direkte.

Kreu i PL-së tha se do mbështesë kandidatët dhe nuk ka asnjë kusht për asnjë bashki.

“Partia e Lirisë dhe marrëveshjen po ta shikoni nuk e shikon thjesht për çështjet vendore që është shumë e rëndësishme për vetë situatën ku është pushteti vendor. Nuk ka një këshilltar që të ngrejë një problem apo të bëjë një pyetje në këshillin bashkiak. Vazhdojmë tek çështja e zgjedhjeve. Për ne jemi shumë të lumtur që kemi marrë një angazhim madhor dhe të patjetërsueshëm të Partisë Demokratike si partia kryesore e opozitës për çështjen e referendumit dhe referendumeve në të ardhmen. Së dyti dhe kjo është arritja më e madhe e jona se që në 25 Prill e kam theksuar si objektivin kryesor për vendosjen e demokracisë, të demokracisë direkte dhe vendosjen e sistemit politik nën kontrollin e qytetarëve. Ne në çdo bashki ku kemi një kandidat i cili mendojmë që ka një potencial shumë pozitiv për të qenë fitues, por edhe mund të jetë i pranueshëm nga elektorati opozitar në përgjithësi…

Nuk kemi ende një bilanc, jemi në një proces krijimi të të gjithë strukturave. Ne nuk kemi asnjë kusht për asnjë bashki. Atje ku do të kemi kandidatët  tanë do të bashkëpunojmë që të kemi një proces primare të rregullt.

Së pari ky është një koalicion i cili është i destinuar për të fituar dhe i projektuar për të fituar. Së dyti sa i takon Partisë së Lirisë qëllimi është të mbështesë fitoren e të gjithë kandidatëve të opozitës. Kudo. Natyrisht që kjo është diçka e pamundur teorikisht që të ndodhë kudo, por ne do të punojmë me të njëjtin përkushtim kudo në mënyrë të veçantë në Tiranë dhe në qytetet kryesore”-tha Meta.