Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë në moshën 94-vjeçare ‘njeriu më i pistë në botë’


Një vetmitar iranian, i quajtur ‘njeriu më i pistë në botë’, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare në fshatin iranian Dejgah, njoftoi media shtetërore të dielën. Burri, pseudonimi i të cilit ishte Xha Haxhi, thuhet se ka kaluar rreth 67 vjet pa u larë dhe ka ngrënë vetëm ushqim të kalbur.

Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, Haji zgjodhi të shmangte dushin nga frika se do e sëmurte. Angazhimi i tij për të mos u larë ishte aq i fortë sa ai madje një herë u hodh nga një makinë kur fshatarët lokalë u përpoqën ta çonin në një lumë për t’u larë, sipas gazetës.

Përveç se kishte neveri ndaj sapunit dhe ujit, Haxhi kishte gjithashtu një neveri për ushqimin dhe ujin e freskët, duke thënë se ushqimi i tij i preferuar ishin kalbësirat. Uji që pinte zakonisht vinte nga pellgjet aty pranë dhe e pinte nga një bidon vaji i ndryshkur.

Burri jetonte në një kasolle të hapur me tulla. Pavarësisht nga zakonet e tij të pazakonta sanitare, Haxhi ishte përgjithësisht mjaft i shëndetshëm. Një ekip mjekësh nga Shkolla e Shëndetit Publik të Teheranit kreu një seri analizash mbi të në fillim të këtij viti duke zbuluar se ai nuk kishte asnjë infeksion bakterial ose parazitar përveç Trikinozës, një infeksion i zakonshëm i lidhur me konsumimin e mishit të papërpunuar. Burri, megjithatë, nuk kishte simptoma.

Mjekët arritën në përfundimin se Haji ishte i shëndetshëm për shkak të ekspozimit të tij të vazhdueshëm ndaj kushteve të vështira të jetesës, të cilat e kishin lejuar të zhvillonte një sistem imunitar jashtëzakonisht të fortë.

Megjithatë, disa muaj më parë, fshatarët dyshohet se ia dolën ta bindin më në fund vetmitarin të bënte banjë për herë të pare, pas më shumë se gjysmë shekulli. Sipas një zyrtari lokal që foli me IRNA, Haji u sëmur shpejt më pas dhe ndërroi jetë më 23 tetor.