Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i tha presidentes së Komisionit Evropian se është koha që BE-ja të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në union.
Gjatë konferencës së përbashkët me zyrtaren e BE-së, që ndodhet në një vizitë të shkurtër në Prishtinë, kryetarja e shtetit të Kosovës theksoi se qytetarët e Kosovës janë të izoluar në emër të Evropës edhe pse vendi është i pari në Evropë për sa i përket reformave në sundimin e ligjit.
Osmani tha gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar destabilitet duke nxitur veprimet destabilizuese të satelitëve të Moskës në rajon.
“Ka ardhur koha që BE-ja të marrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor. Kjo është natyrisht për vendet që duan të bëjnë hapa serioz drejt integrimit në BE. Ne duhet të kërkojmë mbështetje nga të gjitha strukturat e BE-së. Edhe pse ne radhitemi të parët në Evropë dhe të dytët në botë sa i përket reformave në sundimin e ligjit, qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës. Raporti i Progresit që është më i mirë për Kosovën deri tani, është dëshmi që populli i Kosovës është i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe sundimit të ligjit. Ne e kuptojmë rëndësinë e madhe që të kemi mbështetjen e aleatëve. Lufta e paprovokuar e Rusisë ka shkaktuar destabilitet. Neve na brengosin gjithashtu edhe veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tone.” – tha Osmani.