Vendosni fjalën kyçe....

Pranga në Shkodër 49-vjeçarit të shpallur në kërkim, qëlloi me armë RENEA-n gjatë aksionit


Një 49-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia në Shkodër.

Në pranga ka rënë Agim Gjata, i cili ka qenë i dënuar për vrasje ndërsa ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.

Gjatë aksionit të RENEA-s, sipas njoftimit të policisë, ai ka qëlluar me armë automatike ndaj efektivëve por është arrestuar pak çaste më pas.

Gjatë kontrollit në banesën ku është kapur, janë gjetur një armë zjarri automatike, një pistoletë, municion luftarak e një palë dylbi.

Njoftimi

“Vau i Dejës, Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Neutralizimi”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje. Qëlloi me armë zjarri ndaj shërbimeve të Policisë në momentin e ndërhyrjes për kapjen e tij, falë profesionalizmit të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, neutralizohet dhe vihet në pranga 49-vjeçari. 49-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe ishte i dënuar më parë për vrasje. Sekuestrohen 2 armë zjarri, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak dhe dylbi.

Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Me ndërhyrjen profesionale dhe në zbatim të ligjit, të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Si rezultat i operacionit “Neutralizimi” u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje. Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”