Inspektorati Shtetëror Teknik ka njoftuar se kompania ‘Gaspower’, nga cisterna e së cilës rrodhi gaz ditën e djeshme në Porto Romano, nuk kishte kryer kontrollet e duhura dhe nuk kishte dokumentacionin e duhur për kryerjen e veprimtarisë.
Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme ku nga cisternat e kompanisë rrodhi gaz gjë që çoi në zhvendosjen e banorëve të zonës dhe ndërprerjen e mësimit në shkollën ‘Met Hasa’ për shkak të erës së rëndë në zonë.
Sipas ISHTI-t, kompanisë i është kërkuar që të mos e përdorte më cisternën deri në plotësimin e të gjithë dokumentacionit të plotë siç kërkohet nga ligji.
“Subjektit Gaspower AL sha u la detyrë që të merren masa për boshatisjen e menjëhershme të cisternës së GLN-s, për pastrimin e territorit, monitorimin e cisternës së GLN-s si dhe ambientit për qark. Cisterna e GLN-s të automjetit nuk duhet të përdoret pa u pajisur me të gjithë dokumentacionin tekniko ligjor
Kushtet e paplotësuara sipas ISHTI-it
- Certifikatë konformiteti e cisternës e cila lëshohet nga nje Organ i miratuar.
- Certifikatë e miratimit për mjetet që transportojnë disa mallra të rrezikshëm e cila lëshohet nga nje Organ i miratuar (ADR).
- Certifikatë për transportin e mallrave të rrezikshëm e cila lëshohet nga Drejtoria e Transportit Rrugore.
- Policë për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësisnë ndaj palëve të treta.
- Certifikatë e kalibrimit të sasisë të cisternës së GLN-s.