Vendosni fjalën kyçe....

Sa bashki do i lini PL-së? Përgjigjen Berisha dhe Meta: Nuk kemi marrëveshje për ndarje pushteti


“Sa prej bashkie është e gatshme PD që të tërheqë kandidatët e saj për t’i lënë terren të lirë kandidatëve të PL, që do të garojnë edhe ata për primaret?”– ishte një pyetje që iu drejtua sot nga gazetarët kryetarit të PD-së Sali Berishës.

Ai theksoi se çdo gjë do bëhet sipas marrëveshjes së firmosur sot, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama nuk ka guximin që të dalë në konferencë dhe të tregojë sesi do hyjnë në zgjedhjet e ardhshme.

 “Çdo gjë mbi bazën e kuadrit të marrëveshjes do përcaktohet nga grupet që do merren me zbatimin e marrëveshjes. Një gjë është e sigurt, që marrëveshja synon fitoren. Kjo është marrëveshja e fitores. Shkoni pak, le të bëjë një konferencë po ia mbajti pala tjetër. Pala tjetër nuk del dot, ta marrë Erionin Rama dhe të thotë si hyjnë në këtë fushatë. Kjo është përgjigja ime.”– tha ai.

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta nga ana tjetër u pyet ”sa bashki mendoni se do t’i dhuroni koalicionit që do të garojë më 14 maj?”.

Por ai u shpreh se marrëveshja e sotme nuk është për ndarje pushtetesh dhe se çdokush që dëshiron të kandidojë është i mirëpritur dhe do jenë primaret që do vendosin.

“Sa i takon Partisë së Lirisë objektivi është çminimit i këtij regjimi monist në nivel vendor dhe ndëshkimi nga të gjithë qytetarët e Tiranës. Ky është interesi ynë. Ne nuk e shohim këtë marrëveshje për ndarje pushtetesh në nivele vendor. Për ne me rëndësi është të kthejmë besimin e qytetarëve shqiptarë, tek demokracia dhe roli tyre. Fakti që marrim këtë angazhim madhor për çështjen e referendumeve, besoj se është garancia më e mirë për të ardhmen dhe do të realizohet.

Për asnjë bashki nuk do të ketë asnjë problem dhe asnjë shqetësim nga ana e PL-së në raport me PD-së apo grupimet e tjera që ajo negocion. Ne respektojmë primaret, kudo ku ka  interes nga kandidatë të PL-së apo pranë PL-së për të kandiduar ne respektojmë primaret dhe nuk do kërkojmë që të lihet një bashki, përkundrazi të gjendet mënyra më e mirë e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në primare.”- u përgjigj Meta.