Vendosni fjalën kyçe....

Turqia ndëshkon Meta-n me gjobën 18 milionë dollarëshe


Mbikëqyrësi i konkurrencës në Turqi ka vendosur një gjobë prej 18.63 milionë dollarësh ndaj kompanisë mëmë të Facebook, Meta. Ai zbuloi se bashkimi i të dhënave të përdoruesve nga Facebook, WhatsApp dhe Instagram i dha Meta-s një përparësi të padrejtë në reklamim.

Gjoba u vendos javën e kaluar dhe u njoftua në një deklaratë të mërkurën. Duke kombinuar të dhënat e mbledhura nga të gjitha degët e saj, shpjegohet deklarata, Meta ‘dominon’ tregun e reklamave online dhe ‘krijon pengesa’ për konkurrentët e saj.

Hetimi nisi në vitin 2021 pasi WhatsApp u kërkoi përdoruesve të lejonin Facebook-un të mblidhte të dhënat e tyre. Edhe përpara se ky ndryshim global në mbledhjen e të dhënave të hynte në qarkullim, Facebook u padit nga Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së për blerjen e WhatsApp-it dhe u hetua nga BE-ja dhe Britania e Madhe për përdorimin e sasisë së tij të madhe të të dhënave.

Gjoba turke prej 346.72 milionë lirash, ose 18.63 milionë dollarë, u vendos në bazë të të ardhurave të Meta-s në vitin 2021. Mbikëqyrësi urdhëroi gjithashtu Meta-n të rivendosë konkurrencën në tregjet e saj dhe të përgatisë raporte vjetore se çfarë do bëjë për të siguruar konkurrencën për pesë vitet e ardhshme.

Meta ka 60 ditë për të apeluar gjobën dhe një zëdhënës i kompanisë i tha Reuters të mërkurën se do të ‘shqyrtojë të gjitha mundësitë’.

Meta raportoi një fitim prej 46.7 miliardë dollarësh në vitin 2021 dhe si i tillë mund të përballojë lehtësisht një gjobë prej 18.63 milionë dollarësh.

Megjithatë, firma raportoi rënien e saj të parë në të ardhurat tremujore, një rënie prej 1% në korrik, si dhe një rënie prej 36% në fitim nga një vit më parë. Me pjesën më të madhe të pasurisë së tij të lidhur në aksionet e Meta, themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg ka humbur 71 miliardë dollarë nga pasuria e tij personale deri më tani këtë vit.