Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra njerëz protestojnë në Pragë kundër qeverisë


Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Pragës të premten për të protestuar kundër qeverisë së qendrës së djathtë, duke e fajësuar atë për rritjen e çmimeve në vend dhe mbi “një fokus të tepruar ndaj luftës në Ukrainë.”

Protesta u organizua nga partia Lëvizja e Parë, e cila ka lidhje me të djathtën ekstreme, dhe përkonte me festën kombëtare të 28 tetorit që përkujton themelimin e Çekosllovakisë së pavarur në vitin 1918.

Protestuesit në sheshin e “Wenceslas” të Pragës kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe ngritën pankarta që i quanin ministrat “diletantë”.

“Qeveria që kemi është më e keqja në historinë e Republikës Çeke dhe nuk jam e vetmja që mendoj kështu,” deklaroi protestuesja Eva Frantova për agjencinë e lajmeve AFP.

Ajo kritikoi kabinetin e kryeministrit Petr Fiala për çmimet e larta të energjisë dhe e akuzoi atë se i kushton më shumë vëmendje Ukrainës sesa popullit të tij.

Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe humanitare që kur Rusia nisi agresionin e saj ushtarak në shkurt.

Frantova tha gjithashtu se kishte “censurë në rritje”, duke vënë në dukje vendimin e qeverisë për të mbyllur disa faqe interneti pro-Moskës pas fillimit të luftës.

Vendi me 10.5 milionë banorë po lufton me inflacionin në rritje, i cili arriti në 18 për qind në shtator.