Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka dalë në një deklaratë për mediet sot lidhur me rritjen e çmimit të energjisë.
Vasili thotë se çmimet e energjisë në vend së bashku me ato të karburanteve po rriten në mënyrë abuzive nga qeveria pasi sipas tij në bursa ato po përballen me nivelet e paraluftës.
“Nëse fasha 800 këh nuk u vendos në Tetor me argumentin e rritjes së rezervës energjitike, pse duhej të vendosej në Nëntor-Dhjetor 2022, kur çmimet në bursë janë më të ulëtat që kanë qenë para Tetorit të vitit 2021?”- tha Vasili.
Sipas tij çmimet në bursa vetëm po bien, por kjo bëhet për arsye korruptive. Ai shton se projektligjet e Partisë së Lirisë janë dorëzuar prej kohësh në Kuvend për përballimin e krizës, por maxhoranca po ia bllokon.
“Këta mendojnë vetëm se si të vendosin taksa të jashtëzakonshme mbi prodhuesit e energjisë.”– shton ai.
Deklarata e plotë e Vasilit
Ndërkohë që çmimet e energjisë janë në rënie të vazhdueshme qeveria e Edi Ramës vendos rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët.
Qeveria dhe ERE mesa duket nuk e kanë marrë në konsideratë që çmimi energjisë në bursën HUPX nga data 22 Tetor deri në datë 29 Tetor është mesatarisht 144 Euro/ MWh.
Nëse fasha 800 kwh nuk u vendos në Tetor me argumentin e rritjes së rezervës energjitke, pse duhej të vendosej në Nëntor-Dhjetor 2022, kur çmimet në bursë janë më të ulëtat që kanë qenë para Tetorit të vitit 2021?
Të blesh energji në treg të lirë me çmim rreth 150-200 Euro/MWh dhe t’ja rishesësh qytetarëve të tu me 375 Euro/MWh, ndërkohë që BE dje njoftoi dhënien e grantit prej 80 milionë euro për krizën energjetike, është diskriminim dhe bëhet vetëm për arsye korruptive.
Të neglizhosh të dhënat historike të sektorit, të vazhdosh me plane investimesh korruptive dhe ndërkohë rëndon xhepin e qytetarëve është abuzim dhe vjedhje.
Projektligjet e Partisë së Lirisë janë në Kuvend por për këta abuzues dhe vjedhjes në pushtet vetëm bllokojnë çdo iniciativë.
Këta mendojnë vetëm se si të vendosin taksa të jashtëzakonshme mbi prodhuesit e energjisë.
Pasi kanë shpërdoruar qindra milion euro gjoja investime që nuk kanë sjellë asnjë përmirësim perveçse kanë përfunduar në xhepat e qeverisë dhe klientëve të saj.
Borxhi i ndërsjelltë ndërmjet kompanive publike në sektorin e energjisë arriti në fund të qershorit 2022 në 156 miliardë lekë ose 1,3 miliardë euro duke arritur një rekord historik.
Dhe humbjet teknike vazhdojnë të jenë 20% pa u ulur aspak megjithatë qindra milionë euro investime.