Blog Autor: Kristi Pinderi
Zgjedhjet më të rëndësishme politike të dy dekadave të fundit në Shqipëri janë zgjedhjet që do vendosin nëse Erion Veliaj do vazhdojë të shkatërrojë Tiranën ose jo.
Belind Këlliçi është lloji i kandidatit të cilit Veliaj i trembet më shumë. Këlliçi është njeri politik. Është i ri. Ndryshe nga Veliaj “i ri” i kohës së Mjaftit, Këlliçi është transparent. Veliaj i Mjaftit thoshte se do luftonte apatinë e shqiptarëve, jo për të hyrë në politikë, por për ta ndryshuar atë nga jashtë.
Në fakt, ai mashtronte, sepse Mjafti ishte një mjet parapolitik për të hyrë në politikë me avantazhin e dikujt që është medemek i pastër dhe i papërlyer. Në të vërtetë, Veliaj i Mjaftit është i vetmi politikan në Shqipëri që ka hyrë në politikë i përlyer keqazi, që para se të hynte aty zyrtarisht!
Këlliçi, është e kundërta: jo vetëm ka hyrë i pastër në politikë, por po vazhdon të prodhojë alternativë dhe besim pa u përlyer, edhe pse është në politikë. Këlliçi ka të njëjtin arsimim cilësor që Veliaj pretendon të ketë.
Ti mund të shikosh Këlliçin dhe kupton që po shikon një të ri shqiptar që nuk po të trajton si dikë që mund ta mashtrojë. Shikon pastaj Veliajn dhe e kupton që tek dy fjalët e para që po të mashtron, njësoj si ata shitësit e tenxhereve, apo si agjentët e tele-marketingut! Përballë Veliajt nuk fitohet me doktorë të sinqertë që bëjnë mirë punën e doktorit e të shkencëtarit. Kandidatë si Këlliçi janë ata të cilët kryetari i korruptuar i Bashkisë së Tiranës i ka frikë ti ketë përballë.