Vendosni fjalën kyçe....

Rama tregon sa do jetë paga minimale për studentët ekselentë: 340 mijë lekë të vjetra, mos lëshoni asnjë dhjetë


Pas Dibrës kryeministri Edi Rama është ndalur në Burrel ku ka zhvilluar një takim me një grup të rinjsh.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Rama ka zbuluar se sa do të jetë pagesa minimale për një student me nota ekselente të gjitha dhjeta që do të bëhet përfitues i bursës.

Sipas tij, rreth 200-400 studentë do të paguhen me 340 mijë lekë të vjetra në muaj nga buxheti i shtetit.

“Ajo që ne bëmë është se kemi vënë në dispozicion një fond për ata që do shkojnë në universitet dhe do i kenë të gjitha dhjeta. Jo nga 9 te dhjeta. Janë nga 200 deri në 400 që do përfitojnë një bursë të barabartë me një pagë minimale, sot paga minimale është 340 mijë lekë të vjetra. Kjo do jetë bursa e përmuajshme që ta dini. Mos lëshoni asnjë dhjetë se është një bursë e konsiderueshme.”– tha Rama.

Teknologjia ishte një nga çështjet e tjera kryesore për të cilat Rama foli. Ai tha se duke nisur që nga janari i vitit 2023, në të gjitha bashkitë do të ketë kurse për programimin për kodimin për teknologjinë ashtu sikurse kurse për artet dhe zejet por dhe aktivitet sportive.

“Ajo që ne e kemi shumë të qartë që duhet bërë është që të risimin sa më shumë mundësitë përmes krijimit të hapësirave të reja, që nga hapësirat për teknologjinë. Nga janari i muajit të ardhshëm do të ketë në të gjitha bashkitë kurse për programimin për kodimin për teknologjinë ashtu sikurse kurse për artet dhe zejet por dhe aktivitet sportive. Janë ngritur ekipet në të gjitha shkollat, basketboll volejboll dhe pasi të pajisjen me uniforma të reja do të fillojnë përballjen në tre nivele. Nuk është qëllimi që të bëhen të gjithë sportistë por është qëllimi që të rritet aktiviteti fizik.”– tha Rama.

Sipas tij ka shumë të rinj nga Shqipëria që punojnë për kompani të huaja ndërkohë që jetojnë këtu. Atyre u mjafton një kompjuter dhe një lidhje interneti dhe tashmë mundësohet punësimi në tregun global pa lindur nevoja të largohen nga vendi.