Vendosni fjalën kyçe....

Vila, apartamente e garazhe/ Konfiskohen pasuritë me vlerë 3 milionë euro të 31-vjeçarit në Peqin


Policia e Elbasanit ka konfiskuar një pasuri me vlerë 3 milionë euro, në pronësi të një shtetasi me precedentë kriminalë në tre vende: Mbretërinë e Bashkuar, Holandë dhe Shqipëri.

Sikurse bëjnë me dije uniformat blu, në operacionin e koduar “Fasada 3”, u konfiskuan pasuritë e Emiljan Shegës, 31 vjeç, banues në Peqin, që dyshohen se e kanë burimin nga veprimtaria kriminale.

Bëhet fjalë për apartamente, një vilë, tokë, e garazhe.

Emiljan Shega ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, pasi i është dërguar formulari i pasurisë në vitin 2020.

Ai është arrestuar në vitin 2010 si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi drejt Mbretërisë së Bashkuar lëndë narkotike me vlerë 10 milion paund. Shega atë kohë u akuzua dhe u dënua nga gjykatat britanike pasi së bashku me gjashtë shtetas shqiptarë dhe tre britanik.

NJOFTIMI I POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 3”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 3”, kanë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e shtetasit E. Sh., 31 vjeç, banues në Peqin.

Shtetasi E. Sh. është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, për trafikim të lëndëve të forta narkotike dhe për mbajtje të armëve ofensive, është arrestuar në Amsterdam, Holandë, për trafikim të narkotikëve, si dhe është dënuar në Shqipëri, për mbajtje pa leje të armeve luftarake dhe falsifikim të dokumenteve.

Konkretisht, në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur konfiskimi i pasurive si më poshtë:

Pjesë toke (kullotë) me sipërfaqe 45 000 m2, në fshatin Gjilek, Himarë;

1 apartament me sipërfaqe 130 m2, në Tiranë;
2 garazhe me sipërfaqe 230 m2, në Tiranë;
1 vile dykatëshe me sipërfaqe 500 m2, në Peqin;
1 apartament me sipërfaqe 111 m2, në Kryevidh, Kavajë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë kësaj jave, në kuadër të operacionit “Fasada 2” janë sekuestruar pasuri me vlerë 400 000 euro, në pronësi të një 34-vjeçari të dënuar me 13 vjet burgim në Norvegji, si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikim të narkotikëve.