Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për abuzime seksuale në nëndetëse, marina britanike nis hetimet


Kreu i Marinës Mbretërore në Britaninë e Madhe urdhëroi nisjen e një hetimi të gjerë në lidhje me akuzat për ngacmim seksual ndaj grave në Shërbimin e Nëndetëseve.

Për herë të parë sinjalizimet për këto ngjarje u denoncuan në media, ku gra të ndryshme që shërbenin në marinë deklaronin se ishin ‘keqtrajtuar’ gjatë kohës që ishin në shërbim nga të gjithë ushtarët meshkuj, pa dallim grade.

Admirali Ben Key i cilësoi këto akuza të neveritshme dhe shtoi se ngacmimi seksual nuk ka vend në Marinën Mbretërore dhe nuk do të tolerohet, duke premtuar se personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë.

Një ish-ushtarake tha për Daily Mail se ishte sulmuar seksualisht nga një oficer i një rangu më të lartë teksa flinte. Ajo pretendon se kur refuzoi ai e goditi me grusht në veshkë.

Të tjera gra mësohet të kenë thënë se shpesh herë iu kërkohej që të kryenin akte seksuale dhe kur nuk pranonin goditeshin me sende të forta nga meshkujt.

Thuhet se abuzimi ka ndodhur për më shumë se një dekadë, pasi ndalimi për rekrutet femra u hoq në vitin 2011.