Amendamentet në projektligjin që ndalon ‘propagandën LGBT’ në Rusi mund të sjellin dënime më të ashpra përtej gjobave dhe dëbimit si dhe ta zgjerojnë fushën e veprimit për të mbuluar teatrot, kinematë e vendet e tjera argëtuese, tha një ligjvënës të premten.
“Nuk mjafton të kufizohemi vetëm te gjoba administrative. Ne këmbëngulim edhe një herë për të bërë ndryshime në Kodin Penal dhe do kërkojmë dënimin penal për sa i përket propagandës LGBTQ.” – tha Nina Ostanina, kryetarja e komitetit të Dumës për çështjet e familjes.
Drafti i parë i projektligjit, i propozuar fillimisht nga rregullatori i medias Roskomnadzor dhe i miratuar nga Duma njëzëri të enjten, ndalon përhapjen e ‘propagandës LGBT’ në media, në internet, në libra, filma, ‘shërbime audio-vizuale’ dhe reklama. Ai parashikon gjoba që shkojnë deri në 400,000 rubla (6,500 dollarë) për individët dhe deri në pesë milionë rubla (81,500 dollarë) për personat juridikë dhe dëbim nga Rusia për shtetasit e huaj që kryejnë shkeljen.
Projektligji kërkon gjithashtu gjoba të mëdha për ata që nxisin dhe ‘justifikojnë’ pedofilinë, si dhe informacione që mund të nxisin rusët e mitur të ndryshojnë seksin e tyre. I mbështetur prej 390 deputetësh nga 450 anëtarë të Dumës së Shtetit, ai konsiderohet gjerësisht si një ‘vazhdim’ i ligjit të vitit 2013 që ndaloi përhapjen e ‘propagandës LGBT’ tek të miturit.
“Ne duhet të bëjmë çmos për të mbrojtur fëmijët tanë, ata që duan të bëjnë një jetë normale.” – tha të enjten kryetari i Dumës së Shtetit Vyacheslav Volodin.
“Gjithçka tjetër është mëkat, sodomi, errësirë.”
Duke folur në Klubin e Diskutimit Valdai të enjten, presidenti rus Vladimir Putin tha se nuk kishte probleme me Perëndimin që nxiste çështje ‘si dhjetëra gjini dhe parada të homoseksualëve’ në territorin e tij, po jo në Rusi.
“Nëse elitat perëndimore besojnë se mund të fusin në mendjet e njerëzve të tyre, në shoqëritë e tyre gjëra që mua personalisht më duken disi të çuditshme, por që me sa duket janë në modë”, tha Putin, “kështu qoftë. Lërini të bëjnë çfarë të duan.”