Partia e Lirisë po zhvillon sot Konventën Kombëtare pak muaj pas kongresit ku u vendos ndryshimi i emrit nga lëvizja Socialiste për Integrim.
Kreu i saj Meta tha asokohe se LSI e kishte përfunduar misionin e saj dhe se në realitetin e ri politik e shoqëror në të cilin ndodhet vendi, lindi nevoja për një forcë politike me tjetër fizionomi e synime. Në hyrje të konventës, u miratuan rezuluta e ndryshimet në statut që vënë referendumin si një nga pikat kryesore e risi nga ana e PL-së.
Sipas Metës, referendumi do vendosë qytetarët, nevojat e përparësitë e tyre në qendër. Kreu i partisë mbajti një fjalë të gjatë ku shpalosi programin politike të Partisë së Lirisë në vijim e mënyrat për realizimin e tij.
Ai e vuri theksin te rinia, referendumi, ndryshimi i modelit ekonomik, kriza energjetike e ekonomike, ndihma për shtresat në nevojë, gruaja e familja teksa lëshoi akuza ndaj kryeministrit Rama e qeverisjes së tij për gjendjen ku ndodhet vendi. Më poshtë kanë pikat kyçe të fjalës së Metës në Konventën Kombëtare.
“Koha është tani, që Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar t’i japi fund sundimit të regjimit që u ka rrëmbyer liritë shqiptarëve.
Ndaj Partia e Lirisë angazhohet solemnisht, ti japë fund sundimit të regjimit, për të vendosur sundimin e ligjit!
Sundimi i ligjit do të garantohet:
nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetutshmëria,
nga rivendosja e institucioneve të forta dhe të pavarura,
nga llogaridhënja dhe ndëshkueshmëria..
nga mirëqeverisja dhe meritokracia..
nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm…
nga punësimi me paga dinjitoze që mbulojnë kostot e larta të jetesës…
nga lufta kundër varfërisë dhe mbështetja sociale për shtresat më të prekura të shoqërisë.” – theksoi Meta.
Kriza energjetike
Kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike. Përgjegjësia për krizën energjetike dhe çmimet e larta të energjisë për konsumatorët kanë vetëm një emër, atë të Edi Ramës që në 10 vjet si Kryeministër është kujdesur vetëm për të mbushur xhepat e tij duke zbrazur xhepat e familjeve shqiptare dhe duke i kthyer kompanitë shtetërore, KESH, OSSHE, etj., në kompani korruptive dhe elektorale. Partia e Lirisë do të mbështesë fuqishëm të gjithë ata që do të investojnë për të rritur prodhimin vendas të energjisë, duke i hequr të gjitha pengesat burokratike, administrative dhe korruptive të regjimit aktual. Ndërsa qeveria e Edi Ramës ka dështuar totalisht në menaxhimin e sistemit të energjisë elektrike, nga ana tjetër, kërkon tu vërë taksë të jashtëzakonshme prodhuesve privatë të energjisë elektrike, të cilët vetëm në vitin e fundit, i kanë kursyer shtetit mbi 250 milionë Euro, me energjinë e prodhuar prej tyre.
Punësimi i të rinjve
Shqipëria u përket të rinjve, ndaj ne nuk do të kursehemi për të financuar fuqimisht arsimin cilësor në të gjithë nivelet e tij, për t’i dhënë rinisë shqiptare aftësitë e duhura për të konkuruar në tregun e punës. Një arsim cilësor që përkthehet në treg pune profesional me paga të mirëpaguara. Ne do të mbështesim fort arsimimin në fushat e Teknologjisë së Informacionit, që në arsimin më të hershëm, por edhe për ata që kanë një profesion aktualisht dhe kërkojnë të aftësohen. Ne do të propozojmë Zonat e Lira Dixhitale, ku mijëra të rinj mund të zhvillojnë biznesin vetë si sipërmarrës, duke i ofruar taksa shumë të ulëta, por do të krijohen edhe mundësi të gjera punësimi. Ne do të implementojmë në Shqipëri eksperiencat më të mira, të suksesshme të cilat janë të pranishme dhe në Ballkan, si përshembull në Kroaci.
Modeli ekonomik
Modeli ynë ekonomik do të balancojë rritjen e prodhimit me rritjen e konsumit. Rritja e prodhimit do të mbështetet nga rritja e investimeve publike produktive, dhe nga rritja e investimeve private. Modeli ekonomik do të mbështetet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke rritur investimet dhe shpenzimet sociale me qëllim themelor rritjen e mirëqenies së qytetarëve të të gjitha shtresave. Modeli ynë ekonomik nuk do të lejojë kurrë marrjen e borxheve për investime fasadë të cilat kanë ulur produktivitetin e borxhit. Ndaj, modeli ekonomik i Partisë së Lirisë vendos në qendër qytetarin si përfitues të rritjes ekonomike, të përfitimit nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, të përfitimit nga investimet publike dhe nga të ardhurat e taksave që ata vetë paguajnë. Rritja e punësimit dhe e mirëqenies, dhe ulja e kostos së jetesës do të jetë në qendër të politikës ekonomike dhe përgjigja më e fortë ndaj varfërisë. Ne do të çmontojmë modelin mafioz Rilindas të ekonomisë, bazuar në paranë e pisët, trafiqet, informalitetin dhe korrupsionin. Ne do të çmontojmë modelin që e mbyti Shqipërinë me miliarda Euro borxh, të cilat i shërbyen korrupsionit dhe asnjëherë qytetarit. Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve te huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi I shtresës së mesme të shoqërisë, si garante e një zhvillimi të qëndrueshëm, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë.
Oligarkia, koncesionet, antikorrupsioni
Ne do të thyjmë monopolet për të çliruar ekonominë, sipermarrjen dhe tregun e lire, për të rritur konkurencen dhe thithur investimet e huaja. Ne do t’i japim fund koncesioneve korruptive të inceneratoreve apo cdo kontrate tjeter që fut dorën në arkën e shtetit për ta përvetësuar ne xhepin e vet. Partia e Lirisë do të garantojë realisht hapjen e tregut kundër monopolizimit dhe oligopolizimit aktual të tij, për krijimin e një ekonomie konkuruese dhe mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimi me çmimet. Do të konfiskojmë asetet e krijuara nëpërmjet veprimtarive korruptive dhe kriminale, si inceneratorët dhe të tjera si këto, e me këto para do të mbështesim financiarisht arsimin, punësimin e rinisë dhe familjet e reja.
Pagat
Ne synojmë të kemi një zhvillim ekonomik, që përkthehet në rritjet e pagave aktuale të shumicës së shqiptarëve, që janë paga mbijetese, sa për të mbajtur frymën gjallë, në “paga të jetesës” që garanton mbulimin e kostove të jetesës, dhe një mirëqenie të familjeve shqiptare. Ne do të miratojmë ligjin për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet cdo vit.
Taksimi
Sistemi i taksimit korruptiv të Rilindjes ka vendosur në mënyrë antikushtetuese Tatim Mbi Dividentin në masën 8%, ndërsa do taksojë profesionistët e rinj, të vetpunësuarit, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë dhe ekonomisë, me 23% të fitimit. Në kushtet e krizës ekonomike aktuale ne propozojmë të ulim barrën fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas.
Administrata publike
Ne synojmë meritokracinë në administratën publike si e vetmja garanci për suksesin e te gjitha reformave institucionale dhe qeverisëse. Duhet të bëjmë çmos për të mbajtur dhe rekrutuar profesionistët e rinj me ambicie dhe vizion, për të ecur përpara me reformat institucionale dhe për të kapur kohën e humbur me integrimin europian. Një prioritet i rëndësishëm për ne, është rikthimi i shërbimeve publike më të domosdoshme pranë qyteteve dhe bashkive, që po shkretohen me shpejtësi marramendëse, për shkak të heqjes së qëllimshme të këtyre shërbimeve nga Rilindja. Kjo është një nga arsyet kryesore të shpopullimit të shumicës së qyteteve dhe trevave tona, pasi largimi i detyruar i intelektualëve nga këto zona, si dhe largimi i shërbimeve, i ka bërë të pamundura këto shërbime për tu përfituar nga qytetarët, për shkak të kostove shumë të larta të udhëimit dhe burokracive.
Zona e lira ekonomike
Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri. Shqipëria duhet të kthehet në qendrën rajonale të industrisë prodhuese dhe manifakturës në Europë. Prandaj ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj serioz dhe të fuqishëm.
Shtresat në nevojë
Partia e Lirisë ka propozime konkrete për përkujdesjen ndaj shtresave në nevojë. Ne do të mbështesim familjet që gjenden sot në një vështirësi ekstreme ekonomike duke ngritur në nivel dinjitoz ndihmën ekonomike ndaj tyre, për të realizuar daljen e tyre nga varfëria.
Gruaja e familja
Një kauzë madhore e Partisë së Lirisë mbetet mbështetja e gruas dhe familjes. Ne do të mbështesim gratë kryefamiljare me politika sociale dhe do të fuqizojmë ekonomikisht gruan, përmes nxitjes së Start-Upeve nga vajzat dhe gratë, duke i stimuluar me grante. Familjeve të reja do ti sigurojmë strehim me kredi të buta, ndërkohë ne propozojmë rritje progresive të bonuseve për fëmijën e dytë dhe të tretë, si një politike për të nxitur lindshmërinë. Mbështetja e kësaj politik është jetike dhe shpëtimtare për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë.
Pushteti lokal
Përballë kemi një sfidë tepër të rëndësishme politike dhe elektorale, siç janë zgjedhjet lokale të 14 Majit. Është fakt që pluralizmi në pushtetin vendor nuk ekziston dhe kontrolli dhe llogaridhënia është zero. Është fakt githasktu që abuzimi dhe korrupsioni me taksat e qytetarëve i ka kthyer bashkitë Rilindase në bordero patronazhistësh të cilat po i falimentojnë financiarisht e nuk afrojnë më as shërbimet më bazike për qytetarët. Në këtë përballje nuk jemi të vetëm, por do të kemi me vete edhe të gjithë socialistët e ndershëm që shohin drejtorët e pangopur të Rilindjes, që mbushin xhepat e tyre dhe I kanë harruar socialistët e ndershëm që mezi kalojnë muajin me rrogat dhe pensionet e tyre. Simboli i asgjesimit të pushtetit lokal, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të qytetit për interesat e errëta, sic ishte dhe rasti i shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar, mbetet Tirana dhe kryetari i Bashkisë së saj. Tirana është kthyer në një kurth betoni dhe stresi, trafiku dhe humbje kohe pafund, ku korrupsioni vret shëndetin dhe jetën e fëmijëve, të moshuarve dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës. Treguesit e Tiranës janë katastrofikë dhe përkeqësohen dita ditës, që nga ndotja e mjedisit, asgjesimi i gjelbërimit, taksat shumë të larta, furnizimi me ujë të pijshëm, shërbimi shëndetësor, trafiku dhe parkingjet. Prandaj, sot më shumë se kurrë Tirana ka nevojë për fitoren e opozitës dhe të programit të saj për shpëtimin e Tiranës dhe të gjitha bashkive të vendit, për vendosjen e një llogaridhënie rigoroze dhe për zbardhjen e të gjitha aferave shumë të rënda korruptive që janë bërë në kurriz të qytetarëve nga kryetarët e bashkive dhe Këshillat Bashkiake.