Kompania që drejton konkursin Miss Universe është blerë në një marrëveshje shumë milionëshe nga një personazh i famshëm transgjinor tajlandez, i cili shprehu shpresën se organizata do ndihmojë në rritjen e industrisë së turizmit të vendit të saj dhe të frymëzojë vajza të tjera të reja.
Jakapong ‘Anne’ Jakrajutatip, CEO dhe aksionere e shumicës në konglomeratin ndërkombëtar JKN Global Group, përfundoi blerjen e Organizatës Miss Universe në fillim të kësaj jave për 20 milionë dollarë, duke thënë se kompania do jetë ‘një shtesë e fortë strategjike në portofolin tonë’.
“Është një platformë universale. Unë mund të bëhem aspirata për kaq shumë njerëz, veçanërisht grate e personat LGBTQ, në mënyrë që ata të mund të transformohen.” – tha ajo për Reuters të enjten.
Organizuar çdo vit, konkursi i bukurisë ka 71 vjet që zhvillohet dhe transmetohet në 165 vende. Jakapong tha se beson se ‘çdo vend i përfshirë, jo vetëm Tajlanda, do marrë të ardhura nga turizmi’ nga projekti, duke shtuar se ai do përshtatet në nismën turistike ‘Five F-factors’ të vendit të saj (luftimet, ushqimi, moda, filmi dhe festivali).
JKN Global Group, që prodhon shfaqje televizive, filma dhe një gamë të gjerë produktesh të tjera, tha se krijoi një degë me bazë në SHBA, JKN Metaverse, për të drejtuar Organizatën Miss Universe.