Vendosni fjalën kyçe....

Moska akuza Londrës: Marina britanike e përfshirë në ‘sulmin terrorist’ ndaj Nord Stream


Njësitë e Marinës Britanike u përfshinë në ‘sulmin terrorist’, që shkatërroi tubacionet kryesore të gazsjellësit Nord Stream, pretendoi Ministria ruse e Mbrojtjes të shtunën.

Duke shkruar në kanalin e saj zyrtar Telegram, ministria pretendoi se efektivët e Marinës Mbretërore ‘morën pjesë në planifikimin, mbështetjen dhe zbatimin’ e komplotit për të hedhur në erë infrastrukturën e gazit në shtator. Megjithatë deri tani ajo nuk ka ofruar asnjë provë të drejtpërdrejtë për të mbështetur pohimin e saj.

Akuza vjen pas një pretendimi të Ministrisë së Jashtme ruse se NATO-ja zhvilloi një stërvitje ushtarake gjatë verës, afër vendit ku ndodhën shpërthimet nënujore.

Incidenti i shtatorit bëri që tubacionet, që lidhin Gjermaninë me Rusinë, të dalin jashtë funksionit. Tani për tani vendet perëndimore kanë bllokuar një hetim ndërkombëtar për zbardhjen e ngjarjes.

Ministria e Mbrojtjes pretendoi më tej se të njëjtët operativë të Mbretërisë së Bashkuar stërvitën ukrainasit e përfshirë në një sulm me dron në Krime më herët të shtunën.

Në fund të shtatorit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova vuri në dukje se këtë verë, NATO kreu stërvitje ushtarake jo shumë larg Bornholmit, ku u përdorën ‘pajisjet që mund të veprojnë në det të thellë’.

Ndërkohë, Sky Neës ka cituar një zyrtar të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar të ketë thënë se Nord Stream 1 dhe 2 mund të ishin dëmtuar nga një pajisje shpërthyese nënujore të komanduara nga largësia. Asokohe media tha se tubacionet mund të ishin goditur nga minat në shtratin e detit, ose nga eksplozivët e hedhur nga një varkë ose dron nënujor.