Zyrtarët amerikanë nuk po planifikojnë të vendosin nivelin e kufirit të propozuar të çmimit të naftës ruse deri pas zgjedhjeve afatmesme në SHBA më 8 nëntor, raportoi të premten Wall Street Journal, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje.
Administrata Biden është e shqetësuar se një njoftim për një tavan çmimi do çonte në ulje të furnizimeve ruse, do shkaktonte paqëndrueshmëri në tregun e naftës dhe do ndikonte në rezultatet e zgjedhjeve afatmesme, shpjegon WSJ.
Moska tha në mënyrë të përsëritur se nuk do furnizonte me naftë dhe gaz kombet që miratojnë politika tregtare që kundërshtojnë kushtet e kontratave ekzistuese.
Fillimisht, niveli i kufirit të çmimit pritej të vendosej nga mesi i tetorit për t’i dhënë industrisë kohë për t’u përgatitur për 5 dhjetorin, kur SHBA dhe aleatët e saj planifikojnë të ndalojnë bizneset në vendet e tyre nga transporti, financimi dhe sigurimi i naftës ruse, përveç nëse shitet nën kufirin e caktuar.
“Janë afërsisht 40 ditë deri në 5 dhjetor, një udhëtim tipik në rrugët më të gjata nga Rusia zgjat 45 deri në 60 ditë. Pra, ne jemi brenda dritares së një ngarkese të bllokuar, ka njëfarë rreziku që çmimet e naftës së papërpunuar mund të rriten pasi blerësit bëjnë oferta për burime alternative.” – citoi WSJ Kevin Book, drejtori menaxhues i ClearView Energy Partners.
SHBA dëshiron të frenojë të ardhurat e Moskës, por në të njëjtën kohë të mbajë rrjedhjen e naftës ruse në tregjet globale. Sipas vlerësimeve të ndryshme, kufiri mund të vendoset në rreth 60 dollarë për fuçi.