Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Transportit kërkon subvencionim të çmimit të naftës edhe në nëntor-dhjetor; Paralajmërohet reduktim shërbimi nga 1 Nëntori


Çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e fuqisë punëtore janë problemet kryesore me të cilat po përballen sektori i transportit urban.

Disa ditë para përfundimit të dhënies së subvencionit nga qeveria për rritjen e çmimit të naftës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetës kërkon vijueshmërinë e tij edhe për muajt në vazhdim, ose në të kundërt të ndërhyhet për dyfishimin e çmimit të biletës.

Shoqata paralajmëron se nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e tyre nga 1 nëntori, operatorët e transportit në Tiranë do të ofrojnë shërbim të reduktuar.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor për kompanitë e transportit. Kjo është paketa e dytë antikrizë në ndihmë të sektorit.

E njëjta paketë u përdor për rimbursimin e naftës në muajt mars-prill-maj. Ndërsa në muajt qershor dhe korrik, transporti urban në tërësi, vuajti shtrenjtimin e kostove nga rritja e çmimit të naftës, pasi mungoi subvencionimi. Operatorët në muajin gusht paralajmëruan ndërprerjen e abonesë nëse nga qeveria nuk merren masa.

Operatorët e transportit rrezikojnë të mbeten sërish pa subvencionim të naftës për muajt nëntor -dhjetor.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare së Transportit Qytetës, Kostandin Foni, kërkon vijueshmërinë e fondit për subvencionin e naftës. Nëse nuk do të vijohet për dhënien e subvencionit të naftës, kryetari i Shoqatës pohon që të merret në konsideratë kërkesa e tyre për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban në Tiranë në 80 lekë dhe kërkesat fiskale për ulje të taksave.

“Fillimisht shoqata kërkon transparencë për shpërndarjen e dy fondeve për subvencionimin e naftës, atë të mars-prill-maj dhe të periudhës gusht-shtator-tetor, se sa para janë përdorur deri tani dhe nëse ka mbetur pa u përdorur i gjithë fondi a është mundësia e shpërndarjes së tij. Nëse nuk do vijohet me subvencionimin e naftës nga qeveria, të paktën vijohet me subvencionim e fondit të bashkisë për nëntor-dhjetor. Subvencioni i Bashkisë së Tiranës është për perfomancën e shërbimit e operatorit. Por edhe ky, është në vlera të papërfillshme për shkak të çmimit të lartë të karburanteve.

Problemi kryesor mbetet stabilizimi financiar i sektorit. Kompanitë e transportit nuk mund të qëndrojnë në varësi të subvencioneve. Vetë ne e kemi të pamundur të përballojmë blerjen e karburantit, në kushtet kur çmimi gati është dyfishuar. Nëse nuk do të vijohet me subvencionin, të plotësohet kërkesa për rritjen e çmimit të biletës në 80 lekë nga 40 lekë që është sot, si dhe të ulen taksat. Për TVSH-në në shitje të biletave, kemi kërkuar të ulet deri 6%, të hiqet akciza e karburantit, taksa e qarkullimit që është demotivuese, si dhe rimbursimi i kategorive që përfitojnë udhëtim falas”, pohon ai.

Shoqata Kombëtare Transportit Ndërqytetës ngre edhe shqetësimin e mungesës së fuqisë punëtore. “Edhe mungesa e stafit është ndër problematikat kryesore e sektorit. Të rinjtë të punësuar si faturino po emigrojnë drejt Anglisë, ndërsa shoferët në Gjermani, pasi nuk kanë siguri te sektori ku punojnë, nuk kanë të ardhme. Kompanitë nuk janë në gjendje të ofrojnë rritje rroge. Nuk janë të aftë të bëjnë shërbime për autobusët”, veçon Kostandin Foni.

Për shkak të emigrimit të lartë të popullatës sektori i transportit urban vijon të vuajë rënien e numrit të pasagjerëve. Sipas të dhënave të shoqatës aktualisht numri i pasagjerëve është 40 % më pak se 2019. /D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor