Vendosni fjalën kyçe....

KLSH kallëzim penal në Prokurorinë e Shkodrës për rikonstruksionin e “Kafes së Madhe”: Pasoja të parikuperueshme të objektit


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Shkodrës, Ministrinë e Kulturës dhe disa prej institucioneve të saj pas një auditimi të kryer te to.

Nga auditi rezultoi sipas KLSH-së se ka shkelje të rënda në procedurën e rikonstruksionit të “Kafes së Madhe” në Shkodër.

Nga ndërhyrja kanë ndodhur dëmtime të parikuperueshme në objektin e monument kulture i kategorisë I.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka ushtruar gjatë vitit 2022 auditimin e performancës me temë “Mbrojtja dhe administrimi i Monumenteve të Kulturës”.

Subjekt i këtij auditimi ishte Ministria e Kulturës dhe disa prej institucioneve të saj të varësisë si: Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).

Nga auditimi i kryer në subjektet e sipërcituara, janë konstatuar shkelje lidhur me procedurën e miratimit dhe zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i fasadës dhe Çatisë së objektit brenda Qendrës Historike Shkodër”, duke sjellë pasojën e rëndë të tjetërsimit të karakteristikave të objektit, pjesë e ansamblit historik rruga “Gjuhadol”, deklaruar si pasuri kulturore me VKM nr.771, datë 30.09.2020 “Për deklarimin pasuri kulturore të Qendrës Historike të Qytetit të Shkodrës, Përcaktimin e Zonës Mbrojtëse  të saj dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”. 

Auditimi i KLSH-së, ka evidentuar gjithashtu shkelje gjatë procesit të zbatimit të punimeve për realizimin e projektit të restaurimit të objektit “Kafe e Madhe”, të cilat kanë sjellë pasojën e parikuperueshme të shembjes së objektit monument kulture i kategorisë I. 

Për sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër kallëzimin penal për veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal”-njofton KLSH.