Vendosni fjalën kyçe....

Media britanike: Telefoni i Liz Truss u hakerua nga “agjentët e Kremlinit”


Telefoni i ish-kryeministres britanike Liz Truss thuhet se është hakeruar nga spiunë të dyshuar rusë në kohën kur ajo ishte sekretare e Jashtme. Një zhvillim që ka bërë që qeveria e re të kërkonte nisjen e hetimeve urgjente.

Ky rast u raportua këtë të dielë nga tabloidi “The Mail on Sunday”, që shkruan se kjo ndodhu kur zonja Truss po kandidonte për udhëheqjen e konservatorëve në verë, por lajmi u “shtyp” nga qeveria e kryeministrit të atëhershëm Boris Johnson dhe sekretari i kabinetit Simon Case. Sipas gazetës, mesazhet private midis zonjës Truss dhe zyrtarëve të huaj, ranë në duart e të huajve.

Qeveria thotë se kishte një mbrojtje “të fuqishme” nga kërcënimet kibernetike.

Lidhur me këtë raport, Michael Gove tha për “Sky News” se ai nuk i dinte detajet e plota “se çfarë shkelje sigurie, nëse ka, ka ndodhur”, por tha se qeveria e ka marrë këto çështje “tepër seriozisht“.

Daily Mail tha gjithashtu se hakerimi i supozuar përmendet edhe në mesazhet private të shkëmbyera midis zonjës Truss dhe Kwasi Këarteng, shoku i saj ngushtë, të cilin ajo e bëri kancelar kur u bë kryeministre.

Po ashtu tabloidi britanik raportoi duke cituar burime të paidentifikuara se agjentët e dyshuar që punonin për Rusinë ishin përgjegjës për hakerimin e supozuar. Spiunët e dyshuar se punonin për presidentin rus Vladimir Putin thuhet se patën akses në informacione të ndjeshme, duke përfshirë diskutimet e zonjës Truss për luftën në Ukrainë me zyrtarë të huaj.

Zëdhënësja e Punëve të Jashtme të Liberal Demokratëve, deputetja Layla Moran ngriti shqetësime se pse hakimi i supozuar nuk ishte bërë publik më herët.

“Ne kemi nevojë për një hetim urgjent të pavarur për të zbuluar të vërtetën.”- tha zonja Moran. “Nëse rezulton se ky informacion është fshehur nga publiku për të mbrojtur kandidaturën e Liz Truss, kjo do të ishte e pafalshme.”

Qeveria britanike thuhet se ka refuzuar të komentojë. “Qeveria ka sisteme të fuqishme për t’u mbrojtur nga kërcënimet kibernetike.”- tha një zëdhënës sipas BBC-së. “Kjo përfshin informime të rregullta të sigurisë për ministrat dhe këshilla për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe zbutjen e kërcënimeve kibernetike.”