Nancy Pelosi thotë se është “zemërthyer dhe e traumatizuar” nga sulmi që iu bë bashkëshortit të saj pak ditë më parë.
Sipas BBC-së, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve thotë se familja e saj ishte “mirënjohëse për reagimin e shpejtë të zbatimit të ligjit” dhe për kujdesin e tij mjekësor.
Bashkëshorti i zonjës Pelosi u godit me një çekiç nga një burrë në shtëpinë e tij në San Francisko të premten. Sipas saj, gjendja e bashkëshortit 82-vjeçar, Paul, “vazhdon të përmirësohet” pas sulmit.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se i shoqi pas sulmit kishte pësuar një frakturë të kafkës dhe lëndime në krahun e djathtë dhe duar. Ai mbetet i shtruar në spital.
I dyshuari, David Depape, 42 vjeç, thuhet se ka kërkuar të takohet me zonjën Pelosi – duke nxitur frikën për dhunën politike në prag të zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit.
Në kohën e sulmit, kryetarja Pelosi ndodhej në Uashington.
Zonja Pelosi, gjithashtu 82 vjeçe, është një nga politikanet më të fuqishme në SHBA. Ajo u rizgjodh për një mandat të katërt si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2021, duke u bërë e dyta në radhë për presidencën, pas Zëvendës Presidentes Kamala Harris.
Ajo ka përfaqësuar zonën e San Franciskos në Kongres që nga viti 1987, dhe zakonisht e ndan kohën e saj midis Kalifornisë dhe Uashingtonit.
Aktualisht zonja Pelosi po mbledh fonde dhe po bën fushatë me demokratët në mbarë vendin përpara zgjedhjeve afatmesme.
Çifti janë të martuar që nga viti 1963 dhe kanë pesë fëmijë.