Kryeministri Edi Rama pas një ndalese 2 ditore në qarkun e Dibrës ka shkruar për ujin e pijshëm.
Ai thotë se vetëm gjatë qeverisjes së tij u bë e mundur që Dibra të ketë 24 orë ujë që nga koha e komunizimit që kishte vetëm 2-4 orë ujë në ditë.
Kryeministri Rama nuk ka lënë pa sulmuar opozitën si dhe LSI-në që e pengoi në mandatin e parë për të bërë të mundur ujin 24 orë.
Radhën për ujë 24 orë e ka bashkia Mat që sipas tij do përfundojë deri në pranverë.
Postimi i plotë:
DY FJALË PËR UJIN NË DIBËR, që ka ardhur me pikatore, 2 deri 4 orë në ditë, qysh në kohë të komunizmit e këtej mbrapa po e po.
Ne nisëm në krye të herës një reformë dhe bëmë një plan investimesh për ujin e pijshëm 24 orë. Mandati i parë ishte dalje nga gropa e thellë e borxheve dhe kusureve të Partisë së Rublave. Investimet për ujin ecën, por me ngadalësi – akoma më ngadalë në bashkitë e rublaxhinjve. Mandatin e dytë u rrit ndjeshëm ritmi edhe falë largimit të ujëthithësve të LSI nga prehri ynë, deri kur erdhën me radhë tërmeti e pandemia, që diktuan përsëri ngadalësim të këtyre investimeve. Puna sidoqoftë vazhdoi pa ndërprerje dhe harta e mbuluar me ujë 24 vazhdoi të zgjerohet.
Bashkia Dibër e nisi para disa ditësh furnizimin me 24 orë ujë të 36 mijë abonentëve, ndërkohë që deri në pranverë, do të mbulohet me ujë 24 orë edhe Bashkia Mat, ku furnizimi i ujit të pijshëm qysh në kohë të komunizmit ka qenë 1 deri 2 orë në ditë.
Natyrisht që do të kishte qenë mirë të mos e kishim pasur ujin e pijshëm problem për zgjidhje në dekadën e dytë të shekullit 21. Por, sinqerisht, nuk i kuptoj disa që shajnë e mallkojnë me tërbim sa herë flitet e punohet për ujin e pijshëm, a thua se ne po ia presim ujin popullit dhe jo po ia çojmë përditë e më shumë në çezëm, nga Veriu në Jug, falë investimesh masive e një pune të mundimshme plot pengesa!
Disa që bëjnë interesantin kundër të gjithëve, thonë mallkuar PS e PD që merren akoma me ujin, kur bota merret me Hënën e me Marsin! Po si qenka njësoj PS, e cila me qeverisjen e saj po e mbyll, hap pas hapi, plagën shekullore të mungesës së ujit të pishëm, me PD që jo nuk bëri asgjë për ta kuruar këtë plagë të vjetër, po e thelloi atë me rrumpallën e krijuar në sistemin e ujësjellësave dhe stimulimin e vjedhjes masive të ujit përmes lidhjeve të paligjshme(?)! Dhe më falni po çfarë faji kemi ne konkretisht, që e trashëguam një plagë të tillë nga shekujt, apo mos vallë duhet të na vijë turp pse po e kurojmë dhe po e shërojmë hap pas hapi(?)!
Disa të tjerë shajnë në tym pse unë ngrita një shëndet me ujë dje në Dibër, jo Enveri, jo komunizmi, jo tërrci-vërrci! Po që të jemi shumë të qartë, e para ujë të pishëm 24 orë nuk ka pasur në shumë e shumë zona të Shqipërisë, përfshirë edhe Dibrën, as në kohën e Enverit dhe e dyta, kur unë ngre shëndet me ujë as më shkon mendja hiç tek Enveri, se me Enverin i kam mbyllur hesapet i pari fare në këtë vend, kur fola publikisht kundër tij e kërkova lirimin e të burgosurve politikë bashkë me Ardian Klosin, teksa të tjerët, me Hienën Nongrata në krye nuk bëzanin për shokun Enver dhe i quanin të burgosurit politikë “llumi i shoqërisë”.
Ka edhe disa që thonë mos u merr me ata që shajnë e mallkojnë. Po në fakt unë s’u mora me ta këtu, po u mora me vetë faktin që tregon ndryshimin e madh mes PS, e cila po realizon hap pas hapi, planin e vonuar me shekuj për Ujin 24 orë dhe Aleancës së Rublave, partira, pëdëra e lirira, kanale e portale, të cilat derdhin përditë në veshët e shqiptarëve ujrat e zeza të urrejtjes së tyre, e hedhin përditë në sytë e shqiptarëve baltën e zezë të ligësisë së tyre.
Sa për atë krahasimin me Enverin, gëzuar edhe një herë Dibra! Me Ujë 24 orë