Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi ndaj Paul Pelosit, media amerikane thotë se i dyshuari kishte në çantë ngjitës dhe lidhëse


Të tjera detaje bëhen me dije nga mediet amerikane lidhur me sulmin ndaj Paul Pelosit, burrit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Siç shkruan CNN, burri që e sulmoi zotin Pelosi me çekiç në shtëpinë e tij në San Francisko kishte me vete një çantë që përmbante shumë lidhëse plastike si zinxhirë.

Duke iu referuar burimeve të paidentifikuara nga Policia, CNN thotë se përveç lidhëseve, i dyshuari kishte edhe shirit ngjitës.

42 vjeçari David DePape, përballet me akuzat për tentativë vrasjeje, sulm me armë vdekjeprurëse, abuzim me të moshuarit, vjedhje dhe krime të tjera në lidhje me sulmin e mëngjesit të së premtes. Kështu tha shefi i policisë së San Franciskos, William Scott.

DePape thuhet se u përball me Pelosin dhe e pyeti se ku ishte gruaja e tij, duke bërtitur: “Ku është Nancy?”

Policia ka thënë se DePape hyri në shtëpi nga një derë e pasme dhe nuk ishte e qartë nëse ai ka anashkaluar ndonjë masë sigurie.

Paul Pelosi ishte në gjendje të telefononte policinë dhe të mbante linjën të hapur që në anën tjetër të mund të dëgjohej biseda në sfond. Kur oficerët e policisë mbërritën, ata thuhet se panë DePape të godiste Pelosin me çekiç dhe e arrestuan atë.

Pelosi u dërgua në spital pas sulmit dhe iu nënshtrua një “operacioni të suksesshëm për të riparuar një frakturë të kafkës dhe lëndime serioze në krahun dhe dorën e tij të djathtë.”

Nancy Pelosi tha në një letër të shtunën se burri i saj vazhdon të përmirësohet pas sulmit, por fëmijët dhe nipërit e tyre “janë zemërthyer dhe të traumatizuar”.