Vendosni fjalën kyçe....

“Top Channel” nis goditjen ndaj institucioneve të Sigurisë Kombëtare


“Top Channel” ka bërë sot në mbrëmje një kronikë ku flet për demoralizimin e lartë në radhët e Shërbimit Informativ dhe braktisjen e këtij institucioni nga inspektorët (lexo këtu).

Raportimi i “Top Channel” në pjesën e tij të parë i referohet deklarimeve në Kuvend të vetë zyrtarëve, ndërsa pjesa tjetër citon burime anonime të rezervuara ku tregohen dy raste të braktisjes së punës nga inspektorë.

Në dukje kjo është një kronikë që shfaq problematika për një institucion shtetëror, por e parë në kontekst gjasat janë që “Top Channel” po kalon vijën e kuqe duke goditur reputacionin e një prej institucioneve më të rëndësishme të Sigurisë Kombëtare.

Së pari, nuk ekziston asnjë raport, auditim, dokument ekspertize, që flet ose zbardh gjendjen e burimeve njerëzore në SHISH.

Së dyti, referimi ndaj burimeve anonime përveçse i mangët është një origjinë e padokumentueshme, e cila ka gjasa të kthehet në spekulim në kushtet kur është në praktikën e Shërbimit Informativ të mos i përgjigjet asnjëherë pretendimeve mediatike mbi të.

“Top Channel” ka bërë sot këtë “goditje” ndaj reputacionit të SHISH në kushtet kur ky televizion ka një acarim publik të hapur me kryeministrin Edi Rama dhe jo më larg se sot paradite Rama aludoi për praktika gjobvënëse mediatike pikërisht për këtë televizion (lexo këtu).

Nëse marrëdhënia e “Top Channel” me kryeministrin mund të jetë shtatë herë romancë dhe një herë urrejtje, reputacioni i institucioneve të Sigurisë Kombëtare si Shërbimi Informativ nuk mund të jetë top prej rrecke me të cilin “Top Channel” zgjedh të godasë kryeministrin sa herë mërzitet prej tij./Hashtag.al