Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia e Halloween-it në Korenë e Jugut, Berisha: Ngushëllime për familjet e viktimave, lutem për shërimin e të plagosurve



Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar në lidhje me tragjedinë që ka ndodhur në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ku mbi 150 persona humbën jetën pasi u shtypën me njëri-tjetrin ndërsa festonin Halloween-in.

Në një postim në Facebook, Berisha shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe shton se lutet për shërimin e atyre që mbetën të plagosur në këtë tragjedi.

“Një tragjedi e vërtetë në festën e Halloween në Seul!

Të dashur miq,

Mbi 150 persona kanë vdekur dhe mbi 80 janë plagosur në një shtypje masive të masës së madhe të njerëzve që po festonin Halloween-in në Seul në Korenë e Jugut.

Me këtë rast, i shpreh ngushëllimet me të ndjera familjeve të viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi të rëndë, si dhe autoriteteve të vendit dhe lutem për shërimin e plotë të të plagosurve.”- shkruan Berisha.

Ky reagim i kryedemokratit vjen pasi të paktën 151 persona raportohet se kanë humbur jetën në Seul pasi një turmë njerëzish që ishin mbledhur për të festuar Halloween-in në një rrugicë të ngushtë, përfunduan duke u shtypur me njëri-tjetrin.

Mbi 100 mijë persona, shumica prej tyre të maskuar për festë, ishin mbledhur të shtunën mbrëma në atë që do të ishte festa e parë e Halloween-it në tre vite.

Mediat në vend raportuan për skena kaotike të shkaktuara nga numri i madh i njerëzve në rrugë përpara se të ndodhte incidenti tragjik, shumë pak pas orës 22.00.

Numri i viktimave mund të rritet më tej pasi, sipas raportimeve, 20 nga 82 të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spitalet përreth kryeqytetit të Koresë së Jugut.