Dy persona janë arrestuar në Vlorë pasi akuzohen për kultivim kanabisi ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë 22-vjeçari Ronaldo Velaj, banues në Vlorë e 47-vjeçari Artan Çobo, banues në fshatin Mifol.
Ata akuzohen se gjatë vitit 2021 kanë kultivuar me kanabis zona të pyllëzuara pranë fshatit Mifol.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, Artan Çobos, policia ka gjetur rreth 13 kilogramë të dyshuar kanabis.
Njoftimi
“Në kuadër të procedimit penal të nisur nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, bazuar në të dhëna të siguruara nga inteligjenca informative, për kultivim të bimëve narkotike në zonën e fshatit Mifol, ka vijuar hetimi proaktiv disamujor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “River”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
– Ronaldo Velaj, 22 vjeç, banues në Vlorë dhe Artan Çobo, 47 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë, për të cilët, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. A., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë disa muajve të vitit 2021, kanë kultivuar në zona të pyllëzuara të fshatit Mifol, Vlorë, 213 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies, nga shërbimet e Policisë, gjatë periudhës hetimore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në një banesë në përdorim nga shtetasi A. Ç., në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar 13 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”