Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj e Vasili debate në komisionin e Reformës Zgjedhore: O Enkelejd, vër arsyen në punë…


Me debate është shoqëruar mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Vasili i është drejtuar deputetit të PD-së Alibeaj duke i thënë se ajo që po ndodh në mbledhje është tallje me Kodin Zgjedhor.

“O Enkelejd vër arsyen në punë. Anëtaret e komisionit në të majtë e të djathtë kanë marrë materialin në orën 9 e gjysmë. Mos vazhdo kot se nuk ka logjikë, unë do ta bëj publike këtë. Lëri këto muhabete, janë histori fshati. Kjo është tallje me kodin zgjedhor. Nëse ke në mendje një qëndrim qesharak të opozitës kjo është puna jote, koha nuk është e mjaftueshme për asnjë ekspert që të analizojë materialin siç duhet. Materiali duhet minimalisht dy ditë më parë, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.” – tha Vasili.

Alibeaj nga ana e tij është përgjigjur duke thënë se rendi i ditës është përcaktuar dhe se ekspertët kanë pasur gjithë kohën e duhur për të analizuar materialin.

Ai tha gjithashtu se socialistëve u intereson vonesa kurse opozita duhet të ecë sa më shpejt.

“Rendi i ditës është i përcaktuar, ekspertët kanë punuar, kanë pasur kohën për të reaguar, doni ta ktheni në lojë politike, eksperti ynë të prezantojë materialin që ka, të mërkurën të mblidhemi e të shqyrtojmë. Ta them dhe një gjë tjetër, në telefonin tim do doja të kisha materialin e të gjithëve edhe të zonjës Caka dhe të tjerëve, se vetëm në ketë mënyrë funksionon, unë dua të ecim shpejt, këta e kanë në terezi, opozita duhet të ecë një orë e më parë. Materiali i ekspertit të PD u është shpërndarë të gjithëve. Pak rëndësi ka kur ka ardhur. Duhet të vazhdojmë shpejt, kaq pak jam duke thënë. Ndryshimet që duhen bërë janë masive. Do punë, hajde të punojmë. Etiketimet është mirë t’i tërhiqni. Unë dua të respektoj punën e ekspertit tonë. Këto historitë erdhi në mëngjes apo jo ne të opozitës nuk duhet t’i zhvillojmë. Këtyre kolegëve të opozitës që thonë nuk kemi kohë, nuk e pranoj. Unë nuk bëj kompromis për punën, prezantimin do e dëgjojmë sot, do zhvillojmë një mbledhje, do bëj propozimin tim që për këtë punë që është bërë, të mërkurën ky komision të diskutojë dhe të votojë siç mendon.” – tha Alibeaj.