Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i drejtohet Ballës: Vrimë miu s’do të gjesh ku të futesh ditën e protestës


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, pati një përplasje me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballën.

Berisha e paralajmëroi Ballën se ditën e protestës së opozitës s’do të ketë ‘vrimë miu ku të fshihet’ ndërkohë që ky i fundit qeshte gjatë fjalimit të tij.

“Ai thotë se ka informuar Air Albanian, në një kohë kur nuk funksionon prej 3 vitesh. Si ka mundësi që jeni kaq të pandjeshëm? Si mund të diskutohet këtu? Kemi të bëjmë me një grup njerëzish të cilët vjedhjet e pasurive publike të shqiptarëve jua kanë mbyllur sytë, veshët, nuk dëgjojnë asgjë. 12-ta po vjen. 12 nëntori është gjyqi i madh që shqiptarët do ju bëjnë juve. Boll u tallët me shqiptarët. Boll i shkelmuat ata dhe i përzutë nga vatra e tyre. Mjaft është mjaft. Vrimë miu s’do gjesh atë ditë (Ballës) dil po ta mbajti. Do të gjejmë. Zyrën do ta tregojmë. Do të gjejmë.”- tha Berisha.

Kryedemokrati gjatë fjalimit të tij u shpreh se kryeministri Edi Rama e ka kthyer vendin në diktaturë të bazuar në drogë, krim e vjedhje.

“A mendoni ju se ka fëmijë të sëmurë në këtë vend, që nuk gjejnë ilaçet më jetike për shpëtimin e jetës së tyre. A mendoni ju se ka njerëz që numërojnë kafshatën? A mendoni ju, se shndërruat këtë komb, në kombin e gomoneve? Me këto vjedhje e abuzime, përzutë nga Shqipëria nga 2014 e deri më sot, 744 mijë shqiptarë dhe nuk guxoni t’i thoni një fjalë të vetme Edi Ramës. Përkundrazi i lëpiheni dhe serviloseni në mënyrën më të neveritshme, më të paimagjinueshme.”- tha Berisha duke iu drejtuar deputetëve të maxhorancës.