Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e gazit në BE do mbeten të larta për vite me radhë – Kreu i gjigantit shtetëror energjetik norvegjez


Çmimet e gazit natyror do mbeten të larta në BE për vite me rradhë për shkak të rënies së dërgesave nga Rusia, tha CEO-ja i gjigantit shtetëror të energjisë norvegjeze, Equinor.

“Problemi themelor në Evropë është mungesa e gazit dhe do të ketë mungesë me kalimin e kohës, dhe nëse Evropa dëshiron ta tërheqë atë gaz, ajo duhet të presë që të paguajë një çmim të lartë në vitet e ardhshme.” – tha Anders Opedal në një konferencë shtypi, raporton Reuters.

Ai tha se Norvegjia po ofron furnizime rekord gazi për BE-në, por paralajmëroi se propozimet e fundit të BE-së për të kufizuar çmimet për mallrat mund të rezultojnë të jenë ‘kundërproduktive’ në luftimin e krizës energjetike.

“Çdo kufi çmimi nuk i zgjidh vërtet problemet themelore…Në fakt, mund të jetë kundërproduktiv në rritjen e kërkesës ndërkohë që oferta nuk po rritet.” – argumentoi ai, siç citohet nga Bloomberg.

Equinor së fundmi ka kaluar Gazpromin e Rusisë si furnizuesi më i madh i gazit në BE, por analistët thonë se ai nuk ka kapacitetin e prodhimit për të zëvendësuar rrjedhën e gazit rus. Megjithatë, Opedal u zotua se ‘kontributi i kompanisë së tij do jetë të prodhojë sa më shumë që të jetë e mundur’.

Mes rritjes së çmimeve globale të energjisë, Equinor njoftoi një fitim rekord të tremujorit të tretë të premten, duke raportuar se fitimet e tij për periudhën korrik-shtator u rritën në 24.3 miliardë dollarë nga 9.77 miliardë dollarë në tremujorin e tretë 2021.