Vendosni fjalën kyçe....

“Edhe Rama donte të më linte mua pushtetet në 2007, por s’pranova”- Berisha flet për skenarin e protestave dhe primaret


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur për protestën kombëtare që do të zhvillohet më 12 nëntor nga opozita, si dhe primaret.

Në një intervistë për emisionin “Now” në televizionin “Euronews Albania”, Berisha u shpreh do të nisë një sezon i gjatë protestash dhe se skenari po përgatitet.

“Skenari është në përpunim, por e sigurt të jesh që do jetë një protestë e jashtëzakonshme. Ajo nuk është as fundi i protestave, por përgatituni për një sezon protestash. Unë jam i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të ecësh edhe në fushatë edhe në protestë. Do ti bëjmë të dyja ne. Përpara kemi një bandit, një njeri që nuk ka as moral asgjë. Një njeri që i merr logon opozitës. Një njeri që nuk respekton parimet themelore, ai është një armik i yni. Ky nuk është kërcënim. Ai është armik, një njeri që kryen këto veprime, ai është armik.”– tha Berisha.

Ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama si i ka marrë të gjitha pushtetet, ai kujtoi protestat e PS-së në vitin 2007. Ai tha se Rama donte t’i linte atij të gjitha pushtetet duke mos pranuar të futej në zgjedhje, por që një gjë të tillë ai nuk e ka pranuar. Ndryshe nga sa ka vepruar Rama.

“Edhe ai donte të më linte pushtetet mua në 2007, por nuk ja mora. Donte të mos hynte në zgjedhje lokale. Kur më thanë nga Brukseli që zhvilloi zgjedhjet se ai nuk dëgjon, unë i thashë jo nuk i zhvilloj zgjedhjet.”– u shpreh kryedemokrati.

Një nga çështjet e tjera të rëndësishme që u prek në këtë intervistë ishin edhe primaret që do të zhvillohen në PD. Ai tha se është në bisedime me disa persona jashtë partisë për t’i afruar ata në PD e për t’u bërë pjesë e procesit të primareve për zgjedhjet vendore por nuk zbulon dot emra për momentin.

“Kemi biseduar me persona jashtë partie. Derisa jam në negociatë e sipër, nuk mund të bëjë publik asnjë emër. Është e vërtetë, ekzistojnë 3 forma primaresh. Një prej tyre, voton vetëm anëtarësia, kjo është në Mbretërinë e Bashkuar. Votojnë anëtarët që paguajnë kuotën. Paguajnë 25 paund në vit, votojnë. Ne zgjodhëm një të mesme, votojnë anëtarët dhe simpatizantët. I ftoj të gjithë ata që kanë dëshirë të votojnë, të regjistrojnë emrat pranë qendrave të votiit dhe të vijnë të votojnë.”- tha ai.