Sipas kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, çështja e shpalljes “non grata” të kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berishës nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar nuk ndikon në bashkëpunimin e tyre.
Në një intervistë për Top News, ku u pyet mbi këtë çështje Meta theksoi se PL bashkëpunon me PD dhe se kjo forcë politike ka zgjedhur Berishën për kryetar, gjë të cilën e respektojnë.
“Çështja e Berishës nuk ndikon. Ne bashkëpunojmë me Partinë Demokratike dhe PD ka zgjedhur Berishën si lider të saj.
Përpiqet Rama ta paraqesë si çështjen më të rëndësishme në botë, ndërkohë që takohet dhe puthet me Dodikun që është non grata, por edhe me shumë të tjerë si ai. Në këtë rast mendoj që kjo është një vepër e Edi Ramës, Lulzim Bashës që menduan të asgjësonin një figurë politike për të përjetësuar një regjim monist, një ëndërr që ka mbaruar prej kohësh.
Edhe vetë Berisha është një euroatlantist dhe di t’i kapërcejë këto probleme. Unë nuk e shoh si problem real.”- tha Meta.
I pyetur për raportet me SHBA-në dhe ambasadoren Yuri Kim, ish-presidenti tha se këto raporte janë pozitive: “Unë jam njeri i prioriteteve të qarta. Asnjë politikan nuk ka pasur dhe nuk ka raporte më të qarta me SHBA. Po është po, jo është jo. Interesi kombëtar është interes dominant për Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë.”
Marrëveshja e tij me Berishën, Meta thotë se u bë për të shpëtuar vendin, demokracinë, pluralizmin dhe të ardhmen.
Në lidhje vendimin që pritet të japë gjykata se cilës palë i takon vula e kësaj partie, Meta u shpreh: “Shqipëria do qeshte nëse gjykata do ja jepte vulën pjesës tjetër të PD, sepse i kanë sytë në ballë dhe e dinë çka ndodhur në PD, që Berisha e Foltorja është ringritur me proces transparent e demokratike e kulmuar me Konventën në Air Albania. Ne jemi pa asnjë diskutim në koalicion të hekurt me PD për çështjet në marrëveshje, referendum, primare e të tjera.”